Punësimi në internet, së shpejti në disa rrethe të vendit
>Sistemi Informatik i Punësimit, që po zbatohet nga Shërbimi Kombëtar i Punësimit në Zyrat Rajonale Pilot të Punësimit në Tiranë dhe Korçë, shumë shpejt do të shtrihet edhe në Zyrat e tjera Rajonale të Punësimit. Burime zyrtare nga Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta bënë të ditur se informatizimi i shërbimeve të punësimit vjen në zbatim të prioriteteve dhe angazhimeve që ka ndërmarrë qeveria shqiptare për zhvillimin e e-government dhe në kuadër të fushatës Mosha e Internetit.
Ministria e Punës vlerëson se projekti ka pasur një vështrim kompleks për përmirësimin e eficencës së punës së Shërbimit Kombëtar të Punësimit, duke marrë në konsideratë eksperiencat më të mira të vendeve të BE-së, në mënyrë të veçantë në fushën informatike; eksperiencën e një vendi shumë të zhvilluar si Suedia. Ngritja dhe funksionimi i Sistemit Informatik në Shërbimin Kombëtar të Punës dhe në Zyrat Rajonale të Tiranës dhe Korçës është kryer falë një investimi konkret në hardëere dhe softëere nga Qeveria Suedeze në shumën 300 mijë euro. Ky sistem, i përuruar në fillim të këtij viti, përmban informacion për vende të lira pune, punëkërkues të papunë dhe regjistrimin e biznesit. Nëpërmjet këtij sistemi, Drejtoritë Rajonale të Punësimit në Tiranë dhe Korçë dhe Shërbimi Kombëtar i Punësimit po bëjnë të mundur për punëdhënësit (biznesin) publikimin e ofertave të punësimit, duke krijuar më shumë mundësi për të gjetur kandidatin e përshtatshëm për të plotësuar vendet e lira të punës. Ndërsa për punëkërkuesit dhe personat e tjerë që kërkojnë punë, sistemi ofron më shumë mundësi për të kërkuar vende të lira pune të përshtatshme për profesionin e secilit.