E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bulevardi i ri, Berisha: Rama do ketë parqe ku të bëjë ciu-ciu

Berisha dhe Basha

Kryeministri viziton projektet për zgjatjen e bulevardit: Tirana humbi tetë vjet prej babëzisë.

Ish-kryetari, me parqe të panumërta dhe moshën dixhitale

Kryeministri Sali Berisha ka shfrytëzuar një ditë pushimi për të parë nga afër dy projektet që janë në balotazh për zgjerimin e bulevardit të Tiranës. Nga muzeu historik kombëtar, ku janë ekspozuar të gjitha projektet që u paraqitën për këtë zonë të kryeqytetit, kreu i qeverisë nuk la pa ironizuar kundërshtarin e tij politik, Edi Rama, për komunikimin që ai bën me publikun përmes rrjetit social Twitter (cicëroi). Më lejoni ta mbyll duke shprehur nderimin e madh për qytetarët e Tiranës, të cilët më 8 maj u ndanë nga Blloku e bllokimi. Tani, ish-kryetari do të ketë parqe të panumërta për të bërë ciu-ciu nga mëngjesi gjer në darkë. Edhe në moshën dixhitale e sollëm, kështu që të vazhdojë, është shprehur kreu i qeverisë. Sipas tij, Tirana ka humbur të paktën tetë vjet për këtë projekt, i cili është shumë i rëndësishëm. Janë humbur së paku 8 vite, nuk po them 11, dhe kjo jo se Tirana nuk kishte urbanistë, arkitektë e njerëz të mendimit. Aspak! Ka pasur, ka e do të ketë! Disa prej tyre janë këtu. Por, sepse babëzia boshtëzoi gjithçka te betoni e leja e ndërtimit. Kjo është e vërteta! Leje pas leje, beton pas betoni, Tirana, që kishte një nga treguesit e gjelbërimit ndër më të mirët, u shndërrua në një qytet që po humbiste frymëmarrjen e saj. Duke folur në detaje për projektin e zgjerimit të bulevardit në drejtim të stacionit të trenit dhe rehabilitimin e lumit të Lanës, kreu i ekzekutivit tha se Tirana do të jetë krejt tjetër nëse vihet theksi te lumi dhe parqet. Ajo çka është e rëndësishme, dhe qytetarët do shprehin mendimet e tyre, është se këtu ka një pasuri shumë të madhe. Sigurisht që do të jenë grupet teknike ato që do të japin fjalën e fundit, por miqësisht do të thosha se nëse vetëm tre elemente në këto projekte të realizoheshin: bulevardi, lumi e parqet, Tirana do ishte krejt tjetër. Është një shans historik për këtë qytet që të ketë parqet që meriton, të ketë mushkëritë e frymëmarrjes së tij, u shpreh më tej kreu i qeverisë. Qytetarët e Tiranës do të kenë mundësi të shohin nga afër dy projektet që janë ende në garë në maketet që janë ekspozuar në Muzeun Historik Kombëtar.

2 projekte Pas prezantimit të shtatë projekteve të enjten e kaluar, ende në garë për tu shpallur fitues për zgjerimin e bulevardit dhe rehabilitimin e lumit të Tiranës janë dy studio, Grimshaw dhe DAR. Qytetarët do të kenë mundësi të shohin nga afër të gjitha ato çka parashikojnë këto dy studio, përpara se të shpallet projekti fitues.

Rama
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka zgjedhur sërish rrjetin social Twitter për të reaguar për deklaratat e Kryeministrit Berisha. Pak orë pasi kreu i qeverisë akuzoi Ramën se pengoi zhvillimin urbanistik të Tiranës, lideri i opozitës ka postuar në faqen e tij Saliu dhe urbanistika, si Sudja dhe makroekonomia! Aq sa mund të sillte Sudja zhvillim ekonomik, aq mund të sjellë Saliu zhvillim urbanistik…. Kreu i ekzekutivit tha dje se Tirana humbi të paktën tetë vjet për projektin që po konkretizohet, për shkak të babëzisë me lejet e ndërtimit.

ADI SHKEMBI

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›