E Shtunë, 31 Tetor 2026

Plehrat, PS i jep firmat Aleancës

Aleanca Kundër Importit të Plehrave

Selia rozë ka dorëzuar tek Aleanca Kundër Plehrave formularët e plotësuar nga strukturat socialiste.

Kajsiu: Nuk e dimë sa firma na mblodhi PS, të hënën në KQZ.

Partia Socialiste i dorëzoi Aleancës Kundër Importit të Plehrave firmat e mbledhura nga anë-tarësia e saj për referendumin kundër ligjit të qeverisë. Paraditen e së shtunës, ambientalisti Lavdosh Ferruni ka marrë në dorëzim formularët e plotësuar nga të gjitha strukturat socialiste në të gjithë vendin. Ishin disa nga punonjësit e sektorit të organizimit që kanë bërë dorëzimin e kutive në të cilat ishin të vendosur formularët e plotësuar me të gjitha të dhënat, emër, mbiemër, numër të kartës së identitetit apo pasaportës biometrike dhe nr. telefoni. I kontaktuar në telefon, një nga drejtuesit e këtij grupimi civil, Blendi Kajsiu, pohoi faktin se Partia Socialiste ka ndihmuar në mbledhjen e firmave për referendumin e kërkuar, por nuk dha një shifër të saktë. Jemi duke kaluar në vëzhgimin tonë të gjithë formularët e ardhur në Aleancën Kundër Importit të Plehrave. Një ndihmesë të madhe na ka dhënë edhe Partia Socialiste me strukturat e saj, por dhe degët e aleancës sonë në të gjitha qytetet e vendit, ku qytetarët erdhën me vullnet të lirë dhe firmosën nismën tonë për referendum. Numri i firmave është mbi 60 mijë, ndërsa të hënën ato do të dorëzohen pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, u shpreh Kajsiu. Në nëntor të vitit të kaluar, Kuvendi i Shqipërisë miratoi me votat e maxhorancës ligjin për Menaxhimin e integruar të mbetjeve, i cili i jep mundësi importimit në Shqipëri të rreth 50 artikujve të riciklueshëm për industrinë e përpunimit. Opozita dhe shoqëria civile e cilësoi këtë ligj si një mundësi për të depozituar në Shqipëri mbetje të rrezikshme ose jo të sjella nga jashtë. Pas miratimit të tij, një grup shoqatash të shoqërisë civile krijuan Aleancën Kundër Importit të Plehrave, e cila kërkoi mbajtjen e një referendumi për rrëzimin e këtij ligji. Në krah të kësaj aleance doli dhe Partia Socialiste. Në mbledhjen e fundit të asamblesë kombëtare por dhe në takimet në grupe të ndryshme deputetësh sipas qarqeve, PS kërkoi që brenda një muaji të mblidhen firma për këtë referendum nga çdo organizatë socialiste kundër ligjit të qeverisë.

Referendumi
Në bazë të Kushtetutës, procesi i mbledhjes së firmave ka një afat 3-mujor, ndërsa përfaqësuesit e Aleancës Kundër Importit të Plehrave u shprehën të sigurt që në nisje të kësaj nisme për arritjen e mbledhjes së 50 mijë firmave që kërkohen minimalisht për organizimin e referendumit. Nëse më parë për të mbledhur firmat duhet që të firmosje fletëntip të formuluar nga KQZ, tani personi që do të bëhet pjesë e procesit duhet të japë dhe një fotokopje të mjetit të identifikimit.

Rama: Dy alternativa, Rilindja, ose rrënimi

Rama në Burrel

Kreu socialist ka vijuar turin e tij të takimeve me të rinjtë në qytetin e Burrelit. Në këtë takim kanë marrë kartën e anëtarësisë 250 të rinj që iu bashkuan Partisë Socialiste. Në fjalën e tij, Rama u tha të rinjve se para tyre kishte vetëm dy alternativa për të zgjedhur. Që sot, duke marrë kartën e anëtarësimit, ju jeni Partia Socialiste e Shqipërisë. Secili nga ju është Partia Socialiste e Shqipërisë. Nëse ju bëheni përfaqësues të vizioneve krejt të ndryshme, sepse zgjedhja është e qartë ose një Rilindje Shqiptare ose një rrënim i mëtejshëm, ose punësim real ose një milion të papunë, ose taksa të ndershme ose një taksë e sheshtë, e cila po shkatërron të varfrit dhe po e mbyt shtresën e mesme të shoqërisë. Ose shërbime publike në arsim dhe shëndetësi sipas nevojave, ose shërbime sipas mundësisë për të paguar. Dhe me radhë e me radhë, zgjedhja është e qartë, u shpreh Edi Rama nga qyteti i Burrelit. Një anëtar i komunitetit rom ka marrë kartën e anëtarësisë. Edhe unë jam shumë i kënaqur që kemi një anëtar të ri nga një komunitet, me të cilin ne duam të kemi sa më shumë marrëdhënie reciproke. Të bëjmë sa më shumë që ky komunitet të ndihet sa më mirë dhe ata të ndihen sa më mirë, që të na bëjnë sa më shumë aheng, theksoi Rama.

ARISTIR LUMEZI

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›