Gjykata Administrative, kalohet në parim te Ligjet

Komisioni i Ligjeve
TIRANE- Komisioni i Ligjeve ka nisur sot diskutimet për miratimin e projektligjit për ngritjen e Gjykatës Administrative, projektligj i cili në parim kaloi me konsensus. Anëtarët e Partisë Socialiste u shprehen se pavarësisht përmirësimeve që janë bërë, ka ende disa çështje që kërkojnë debat.
Ndërkaq, anëtarët e PD-së, se Partia Socialiste po kërkon alibi për të thënë që edhe ajo ka dhënë kontibutin e saj për projektligjin.
Drafti është hartuar nga Ministria e Drejtësisë dhe ka rreth katër vjet që qëndron në Kuvend në pritje të konsensusit mes maxhorancës dhe opozitës. Miratimi i tij është edhe pika e fundit e marrëveshjes së 14 nëntorit mes dy forcave kryesore politike, sa u takon ligjeve me shumicë të cilësuar. Por kjo nuk është hera e parë që ky dokument shkon në seancën parlamentare. Që nga viti 2008, kur ai kaloi në qeveri, ka qenë rregullisht në kalendarin trejavor të Parlamentit, ndërkohë që në seancën e fundit të vitit 2009, në mesin e muajit maj, miratimi i tij ishte shumë pranë. Një debat mes kryetarëve të grupeve parlamentare të asaj kohe, Astrit Patozi dhe Valentina Leskaj për çështjen e kartave të identitetit, bëri që opozita të braktiste sallën e Kuvendit dhe ligji nuk kaloi dot. Që nga ajo kohë nuk kanë reshtur apelet e ndërkombëtarëve për ngritjen e kësaj gjykate, e cila do ti shërbejë së pari biznesit vendës.
DRAFTI
Megjithëse ligji është diskutuar një herë në Komisionin e Ligjeve, në respekt të marrëveshjes së arritur mes dy partive, ai do të shqyrtohet sërish sot. Opozita ka zhvilluar të premten e kaluar një tryezë me grupet e interesit për të mbledhur propozimet e tyre dhe, kur drafti të diskutohet nen për nen, do të paraqesë disa amendime. Në variantin aktual, dy duket se janë pikat kryesore, emërimi i gjyqtarëve të parë dhe shkrirja e KSHC-së. Me miratimin e këtij ligji, Komisioni i Shërbimit Civil nuk do të funksionojë më. Në ligjin nr. 8549, datë 11.11.1999, Statusi i nëpunësit civil, bëhen ndryshimet si vijon: a) në pikën 2 të nenit 4 hiqen fjalët pa ndërhyrë në përgjegjësitë e KSHC; b)nenet 5, 6, 7 dhe 8 shfuqizohen; c) në pikën 6 të nenit 13 fjalët KSHC zëvendësohen me fjalët gjykatën kompetente; d) në pikën 4 të nenit 14 fjalët KSHC zëvendësohen me fjalët gjykatën kompetente, thuhet në pikën 3 të nenit 51 të këtij projektligji, i cili kërkon shumicë të cilësuar votash. Sa i përket emërimit të gjyqtarëve pas ngritjes së kësaj Gjykate, ligji parashikon se Me hyrjen në fuqi të këtij ligji, emërimet për herë të parë në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë bëhen në përputhje me kriteret e përgjithshme të ligjit për organizimin e pushtetit gjyqësor. Me hyrjen në fuqi të këtij ligji, emërimet për herë të parë në Gjykatën e Apelit Administrativ bëhen në përputhje me kriteret e përgjithshme të ligjit për organizimin e pushtetit gjyqësor.
Adi Shkembi