Bulku: Felaj më kërcënoi me SMS, nuk jemi në vitin ‘91
Deputetja e Partisë Demokratike, Rajmonda Bulku deklaroi dje në Kuvend se kishte marrë mesazhe kërcënimi, pas deklaratave kundër grevës së opozitës. Në një bisedë për gazetën “Panorama”, Bulku tregon se ka marrë një telefonatë dhe një mesazh kërcënues në telefonin e saj, ku i thuhej “Zonjë duhet të kishit nxjerrë mësim nga Fieri, po mesa duket qenke vërtet e pamend!”. Mesazhi i referohet ngjarjes në Fier, disa ditë pas zgjedhjeve më 28 qershor, ku u bllokua dhe u tensionua ashpër procesi i votimit, kur Bulku vizitoi qendrën e numërimit të votave. Numri nga kishte ardhur mesazhi, i përkiste deputetes së PS-së Ermonela Felaj, e cila ndodhet në grevën e urisë.
Znj. Bulku, ju deklaruat sot në Kuvend se keni marrë telefonata dhe mesazhe kërcënuese, pas deklaratave tuaja kundër grevës së urisë së opozitës. A mund të na thoni diçka më konkretisht?
Nuk mendoja që çfarëdo të më ndodhë sot të më kujtohej dhe të më përsëritej njësoj si në vitin 1991, kur më 20 shkurt ta mbaj mend se ç’tmerr që kisha me telefonata anonime të llahtarshme, me letra etj. Tani jam deputete dhe kam të drejtën time të them atë që mendoj dhe krahas kësaj, të them atë që më duket shumë e drejtë dhe skam pse ta fsheh. Megjithatë, fjala e parë që kam thënë për grevën e urisë ka qenë “është e dhimbshme”. E kam thënë kështu sepse kështu e kam menduar dhe nuk dua që ta harrojnë edhe ato zonja që janë aty brenda se është e dhimbshme. Sigurisht që e kam dënuar si veprim të Kryetarit të tyre, i cili që ditën e parë futi gra aty dhe kjo nuk është njerëzore. Me erdhën telefonata anonime. Zëra grash që bërtisnin dhe më shanin dhe pas këtyre grave që më shanin, mu kujtua ai tmerri atëherë. Në 1991 kam qenë më e re dhe ishte tjetër gjë, ishte vërtetë kardinale ajo kauzë rrëzimi i atij sistemi. Sot s’ka njeri të drejtë të më marrë pa më njohur, pa më ditur numrin, dhe nuk dua që të më marrin njerëz të panjohur në telefon dhe të më fyejnë. Ajo që kam thënë, e kam thënë në Kuvend dhe jo rrugëve. Kam qenë shumë korrekte me të gjitha gjërat që duhet të bëj sepse më kanë dhënë votën për këtë qëndrim, dhe nuk më kanë dhënë votën për të dalë rrugëve. Më vjen shumë keq, por nuk është situata për të destabilizuar Shqipërinë në 2010, ashtu siç mund të duan ato gra dhe Edi Rama.
Me çfarë ju kërcënuan konkretisht në mesazhet e ardhura?
Më përmendnin Fierin dhe e quanin gabim, dhe të pamend. E quanin gabimin tim Fierin. është e turpshme që të më faturohet mua Fieri. Unë i mbrojta këta njerëz nga Fieri. Unë bëra një heroinë aty, vetëm për të mos ndodhur ndonjë skandal dhe nuk doja të prishej imazhi i zgjedhjeve të lira në Shqipëri. Po të ishte prishur do të ishte faturuar shumë keq për ata dhe krimi në Fier ishte i atyre. Mua duhet të më thonë faleminderit për Fierin, ata socialistët, për reagimin tim. Unë kuptoj që kjo dorë është në Fier, kjo dorë është edhe sot, do të jetë edhe nesër. I duhet thënë stop. Shqipëria nuk është ajo e ‘91, greva e urisë nuk është ajo e ‘91. Ne jemi vend që kemi shkuar në NATO dhe presin liberalizimin e vizave. Ka njerëz që duan të dalin dhe kanë të drejtë të kenë një pasaportë të mos presin në ambasada. Pse këta njerëz, pse këto gra, pse Edi Rama nuk e kuptojnë që nuk është momenti për të destabilizuar gjendjen? Këtë nuk e kuptoj.