Exit-poll: Britania rikthehet djathtas, Kameron mund të jetë Kryeministri i ri
Pas 13 vitesh e drejtuar nga Partia Laburiste e qendrës së majtë, Britania ka gjasa t’i rikthehet administrimit të konservatorëve të djathtë, me David Kameron si Kryeministër. Miliona britanikë shkuan të votonin të enjten në zgjedhjet e përgjithshme, të cilat ende pritet të lënë të varura vendimet parlamentare, ku konservatorët edhe pse fitues, nuk kanë mundësi të kenë një shumicë bindëse në Dhomën Përfaqësuese. Mbi 44 milionë britanikë kanë të drejtë vote në zgjedhjet e përgjithshme, të cilat thuhet se kanë pjesëmarrje më të lartë se e zakonshmja në Mbretërinë e Bashkuar. Më shumë se 4,000 kandidatë garuan në 649 zona elektorale, në garën më të paparashikuar prej gjeneratash. Sondazhet e fundit të publikuara në media të shkruara gjatë ditës së enjte u jepnin konservatorëve gjashtë deri në nëntë pikë përparësi nga laburistët. Nëse rezultati i sondazheve konfirmohet edhe pas numërimit zyrtar të votave, atëherë konservatorët do të ishin partia më e madhe në dhomën përfaqësuese, por pa gëzuar kontrollin e saj. Pjesa më e madhe e sondazheve tregonin se konservatorët mund të arrijnë 36 për qind në shkallë kombëtare, laburistët 28 për qind dhe liberal-demokratët me 27 për qind.
Ndërkohë, lideri liberal-demokrat, Nik Kleg, ishte në krye të sondazheve online. Kleg, partia e të cilit fitoi simpatinë e zgjedhësve britanikë pas debateve televizive, u rendit me 42 për qind në preferencat e rrjetit social, “Facebook”. Lideri konservator, David Kameron, mori 31 për qind të votave online, ndërsa Kryeministri aktual, Gordon Braun, u rendit i treti me 27 për qind.
Rezultatet paraprake
Konservatorët
David Kameron 37 për qind
Laburistët
Gordon Braun 29 për qind
Liberaldemokratët
Nik Kleg 27 për qind