Felaj: SMS e dërgova unë,Bulku na fyu
Deputetja e Partisë Socialiste e Qarkut të Beratit, Ermonela Felaj pranoi dje se kishte dërguar mesazhin me tekstin “Zonjë duhet të kishit nxjerrë mësim nga Fieri, po mesa duket qenke vërtet e pamend!: në celularin e deputetes Rajmonda Bulku. E kontaktuar nga gazeta “Panorama”, deputetja Felaj tha se mesazhin e dërgoi për shkak se Bulku fyu gratë e grevës së urisë. E pyetur për mesazhin e tekstit të sms-së mbi Fierin, Nelaj tha se e dërgoi “për ta kuptuar që nuk duhet të dalë e të ofendojë”. Deputetja e PS-së tha se një grua greviste telefonoi deputeten e PD-së, pas deklaratës kundër grevës së urisë. “I telefonoi njerëzisht në një bisedë korrekte mbi deklaratën e saj fyese. Ajo reagoi ashpër, duke na cilësuar kriminelë e komunistë. Ishte një bisedë korrekte dhe ne e dëgjuam 200 vetë që jemi këtu në grevë”, tha deputetja e PS-së, Nelaj. Ajo tha më tej se nuk ka kërcënuar deputeten Bulku, por ka dashur t’i tregojë asaj se ka provokuar gratë në grevën e urisë. “Na quajti skllevër dhe komunistë. Nuk mund të na provokojë, kështu dhe nuk e kërcënoi askush”, tha më tej për gazetën deputetja e PS-së, Ermonela Felaj.