E Diel, 1 Nëntor 2026

Dora Bakojanis përjashtohet nga partia, votoi pro Papandreut



Parlamenti grek miratoi dje planin e ashpër të Qeverisë së Papandreut, me bashkëpunimin e shumicës parlamentare të partisë PASOK dhe partisë së ekstremit të djathtë, LAOS. Para votimit Kryeministri apeloi se, “Ne votojmë pro dhe aplikojmë marrëveshjen me FMN-në dhe BE-në, ose votojmë kundër dhe e dënojmë Greqinë me rrënim”. Ai bëri thirrje për përgjegjësi nga deputetët.
172 vota u hodhën në favor të planit, 121 kundër dhe tre abstenime. Të pranishëm ishin 296 nga 300 deputetët grekë. Tre deputetë të shumicës votuan abstenim për planin e Papandreut, por çudia e të gjithëve ishte numri dy i partisë opozitare, ish-ministrja e Jashtme e Qeverisë Karamanlis, Dora Bakojanis, e cila votoi pro planit, ndryshe nga gjithë anëtarët e tjerë të partisë së saj. Të gjithë “tradhtarët” u përjashtuan nga grupet e tyre parlamentare. Presidenti i Partisë “Demokracia e Re”, Antonis Samaras, e përjashtoi Bakojanisin nga grupi parlamentar i partisë. Në një deklaratë të shkruar, Dora Bakojanis shpjegoi arsyet pse ajo votoi pro masave të ashpra të kursimit. Bakojanis tha se veprimi i saj u bazua në interesat e vendit dhe deklaroi përgjegjësi të plotë për zgjedhjen e saj. Bakojanis fajësoi Qeverinë e kaluar dhe atë të tashmen, duke shprehur edhe keqardhje për vendimin e Samaras që ajo të largohet nga grupi parlamentar. Ndërkohë parlamentarët e PASOK-ut, Sofia Sakorafa, Vasilis Oikonomou dhe Janis Dimaras me votën e tyre abstenim, nxitën reagimin e njëjtë te Kryeministri Papandreu, i cili i dërgoi një letër kryetarit të Parlamentit, Filipos Petsalnikos duke i njoftuar vendimin e tij për përjashtimin e këtyre të treve nga grupi parlamentar i partisë PASOK. Sofia Sakorafa refuzoi ta bënte këtë, ndërsa dy të tjerët nuk janë përgjigjur. Kryeministri Papandreu do të jetë sot në Bruksel për të marrë pjesë në samitin e BE-së mbi krizën greke, i cili do të zhvillohet në fund të javës, ose në fillim të javës së ardhshme. Në takim pritet të jetë i pranishëm edhe Presidenti grek, Karolos Papulias. Sindikatat janë revoltuar edhe më shumë pas miratimit të paketës së kursimeve në Parlamentin grek. Megjithëse tre veta humbën jetën në protestat e organizuara prej tyre, ata përsëri janë zotuar se nuk do të ndalen dhe do të organizojnë greva të tjera të shpeshta kundër masave qeveritare. Bankat greke kanë shpallur grevë 24-orëshe për homazhe ndaj vdekjes së tre kolegëve gjatë përleshjeve të dhunshme, të cilat shpërthyen në Athinë. Dy gra dhe një burrë gjetën vdekjen të asfiksuar në ambientet e bankës “Marfin Egnatia”, pasi godina u godit nga bombat molotov të anarkistëve që ishin në protestë. Masat e ashpra ishin detyrim nga FMN dhe BE që ato të miratonin paketën e ndihmës që shpëton Greqinë nga falimentimi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›