E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prishtina kërkon nga EULEX-i transparencë



Autoritetet në Kosovë kanë shprehur pakënaqësi mbi aksionin e EULEX-it në Ministrinë e Transportit në Prishtinë, edhe pse në raportimet e tyre të para një ditë pas ngjarjes, ata u shprehën se ata ishin pro respektimit të ligjit dhe se ligji është i barabartë për të gjithë. Kryeparlamentari Jakup Krasniqi tha se organet e hetuesisë dhe prokurorisë, qofshin të Kosovës apo të EULEX-it, kishin mundësi ta kryenin detyrën në mënyrë më të civilizuar. Ai shtoi se EULEX-i duhet vërtet të tregojë se është në Kosovë për të luftuar krimin dhe trafiqet e ndaluara, të cilat, “janë të shumta në veri dhe nuk është bërë asgjë gjatë gjithë këtyre viteve”. Edhe Kryeministri Hashim Thaçi ka deklaruar se, mënyra se si EULEX kreu bastisjen në ministrinë kosovare ishte e gabuar. Autoritetet e Kosovës kanë kërkuar nga misioni evropian transparencë mbi hetimet që po zhvillohen në Ministrinë e Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit. Por përfaqësues të EULEX kanë kërkuar nga politika që t’i qëndrojë larg drejtësisë. “Në bazë të parimeve të përgjithshme, sundimi i ligjit duhet të lejohet që të punojë në mënyrë të pavarur, pa ndikime politike”, tha për REL, zëdhënësja e EULEX-it për komponentin e drejtësisë, Kristina Herodes. Hetimet në Ministrinë e Transportit kanë të bëjnë me tenderët për ndërtimin e rrugëve të periudhës 2007-2009. Prokurori Johannes Van Vreesvijk tha se bëhet fjalë për keqpërdorime prej miliona eurosh. Ministri Limaj ka deklaruar se është i hapur për hetime. Ai po vazhdon ta kryejë punën e tij si ministër, ndërsa deri më tani, misioni evropian, nuk ka arrestuar askënd, ndërsa ka thënë se nuk ka as të dyshuar, meqë po hetohet rasti dhe jo individët.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›