Rama: PPE të bindë Berishën
Aristir Lumezi
Kreu socialist Edi Rama i kërkoi dje të djathtëve evropianë të ndërhyjnë për zgjidhjen e krizës. “Në emër të Partisë Socialiste i kërkoj Partive Popullore Evropiane të na ndihmojnë që Sali Berisha të respektojë shtetin ligjor. Ne e dimë mirë se këtu kërkohet e drejta demokratike dhe nuk do të zbrapsemi deri kur ligji dhe Kushtetuta do të zbatohen njëlloj, si për ne, ashtu dhe për ata që rrinë në këtë godinë e punojnë brenda dritareve të mbyllura mbi çadrat e grevës së urisë”, u shpreh Rama, gjatë fjalës së tij dje, në protestën e pasdites para çadrës së grevës së urisë. Reagimi i Ramës erdhi si përgjigje ndaj deklaratës së PPE-së, që i kërkonin deputetëve të PS të hyjnë në Parlament. Në protestën e djeshme kishin ardhur dhe shumë mbështetës nga qarku i Shkodrës, Lezhës dhe kryeqyteti. Rama vuri theksin në protestën e 9 majit, duke ftuar qytetarët t’i bashkohen opozitës për të festuar Ditën e Evropës e siç tha ai, për t’i dhënë fund fantazmave të fashizmit. “Më 9 maj, në orën 10:00, të gjithë qytetarët të vijnë këtu për të festuar ditën e Evropës dhe për të dëshmuar një solidaritet edhe më të madh të gjithë atyre që janë në këtë çadër, të cilët janë zemra e kësaj proteste. Një format i fantazmës së fashizmit është edhe këtu dhe ne nuk do të zbrapsemi deri sa ta heqim qafe këtë fantazmë. Të shumtë janë ata që duan të hyjnë në këtë çadër, për të mos lënë që kjo zemër të ndalet” u shpreh Rama, ndërsa përsëriti vendosmërinë e opozitës për të çuar deri në fund kauzën e zbardhjes së të vërtetës së zgjedhjeve të 28 qershorit. “Nuk do të zbrapsemi deri kur Kushtetuta dhe ligji të respektohen njëlloj për të gjithë” u shpreh Rama. Ndërsa theksoi se gjendja e grevistëve po rëndohet nga momenti në moment, Rama u shpreh se 202 qytetarë po përballojnë një stërmundim, që siç tha ai, është turpi i Kryeministrit që nuk ka zemër të ndjejë hallet dhe problemet e vendit. “Gjendja e atyre që janë në këtë çadër po shkon duke u rënduar. Sot një tjetër grevist doli nga çadra me ambulancë, të tjerë janë në një gjendje aspak të lehtë, po përballojnë një stërmundim, i cili është turpi i Sali Berishës dhe pushtetit të tij” theksoi Rama. Kryesocialisti akuzoi Kryeministrin për asgjësimin e Kushtetutës, duke u shprehur se “ligji në Shqipëri bëhet nga interesat e oborrit të mbretërisë së pashpallur”.
Bumçi: Grevë turpi
Deputeti i Partisë Demokratike, Aldo Bumçi deklaroi dje në Kuvend se greva e opozitës është një grevë turpi. Sipas Bumçit, fakti që Ramiz Alia ka një admirim për këtë grevë, duhet të cilësohet e turpshme. “është e papranueshme sjellja e Ramës, që keqinformon shoqërinë. Admirimi i Ramiz Alisë për grevën e Edi Ramës tregon se kjo është greva e turpit”, u shpreh Bumçi. Ai lëshoi akuza ndaj kreut të PS-së, Edi Rama, duke thënë se lideri socialist po keqinformon shoqërinë shqiptare. Deputeti i PD-së tha më tej se greva e urisë po tenton të ndalë liberalizimin e vizave.
Milo: 9 maji thirrje për vigjilencë
Kreu i PDS, Paskal Milo përmendi gjatë protestës së sotme raportin e fundit të agjencisë amerikane, mbi korrupsionin në Shqipëri. Milo u ka bërë thirrje qytetarëve t’i bashkohen protestës ditën e diel, duke u shprehur se 9 maji është dita për të dalë në shesh në emër të vlerave të demokracisë. “Në datën 9 maj duhet t’u adresohemi shqiptarëve se ajo ditë është dita e demokracisë, Evropës dhe emrave të mëdhenj evropiane, që vendosën demokracinë në Evropën e pasluftës. Ajo ditë është thirrje për vigjilencë, do të thotë të dalim në shesh në emër të vlerave të demokracisë që po dhunohen”, u shpreh Milo.
Doda: Rama të hyjë vetë në grevë
Deputetja e Partisë Demokratike, Mesila Doda i kërkoi dje nga Kuvendi kreu të opozitës Edi Rama, që të mos braktisë njerëzit në grevën e urisë, por të hyjë bashkë me ta. “Zoti Rama bëni një akt fisnik, të vetmin në jetën tënde dhe mos i lër vetëm gratë e burrat që i ke futur në grevë urie. Zoti Rama, ço një grua në shtëpi, kthe një nënë pranë fëmijëve dhe zëre ti vetë vendin e asaj”, deklaroi Mesila Doda. Ajo iu drejtua edhe grave në grevë urie, duke thënë se “ju nuk jeni aty për ideal, por për ëndrrën e Ramës dhe Ruçit, për të marrë pushtetin me dhunë”. Ai u ka lënë vetëm. Ju jeni vetëm, ashtu siç u la vetëm në listë”.
Kadeli: Nuk dorëzohemi kurrë
Deputeti i qarkut të Lezhës, Gjovalin Kadeli, një nga grevistët e urisë, shprehu dje vendosmërinë për të mos u dorëzuar deri në arritjen e qëllimit. “Një natë në darkë, për të qetësuar nënën time, i thashë në telefon se Gramoz Ruçi na ka sjellë bukë me gjalpë e me reçel. Atë natë mund të ketë fjetur gjumë, por të nesërmen kishte kuptuar se e kisha gënjyer, prandaj i kërkoj falje dhe e përshëndes shumë. Ju z. Kryeministër keni në dorë zgjidhjen tonë, por jo shpresën, sepse shpresën e kemi te vetja dhe te banorët që na mbështesin. I bëj thirrje banorëve të Tiranës dhe të Lezhës, na qëndroni pranë deri sa Kulla e barit të dorëzohet se ne nuk dorëzohemi kurrë”, u shpreh Kadeli.
Hoxha: Protestat paguhen nga mafia
I ashpër ka qenë në diskutimin e tij deputeti i Partisë Demokratike, Fatos Hoxha, dje në Kuvend. Ai deklaroi se protestat e opozitës paguhen nga mafia, që sipas tij një pjesë e saj ndodhet edhe në Parlament. “Këto tubime ushqehen dhe paguhen nga mafia, që për fatin tonë të keq ka kapur edhe një pjesë të politikës, si asnjëherë tjetër. Për fatin tonë të keq, ajo ka edhe vendin këtu në Kuvend. Ne të gjithë i njohim dhe ua dimë emrat, por ne heshtim e nuk i denoncojmë. Kjo është e pafalshme për ne”, deklaroi Hoxha. Ai kërkoi veprim nga ana e deputetëve të tjerë.