E Diel, 1 Nëntor 2026

Bulku: Rama, nxirr gratë nga greva, përgjigjen deputetet e PS



Deputetja e Partisë Demokratike, Rajmonda Bulku i kërkoi dje kreut të PS-së gjatë një konference për shtyp që të nxjerrë jashtë saj gratë greviste. “Zoti Rama nxirri këto nëna nga greva, mos i mbaj si skllave. Ti nuk e kupton se sa sublim është një fëmijë, po ato zonja janë të frikësuara prej teje”, u shpreh Bulku. Sipas saj vendimi i kreut socialist për të futur zonjat në grevë urie ishte mizor. “Zoti Rama të ndrysh në grevë urie nëna me foshnje, gra me përgjegjësi familjare do thotë se në qenien tënde nuk ekziston asnjë ndjesi njerëzore. Kjo nuk ka asgjë të përbashkët me vlerat e familjes e fëmijëve. Po të mendosh se çfarë terrori psikologjik krijon tek fëmijët duke i mbyllur nënat në vetëflijim, kjo krijon një dramë, që nuk shërohet”, u shpreh Bulku. Por i menjëhershëm ishte reagimi i grave të pranishme në grevën e urisë së Partisë Socialiste. Ato i kërkuan aktores së njohur, deputete të PD-së, të mos flasë me gjuhën e kryeministrit dhe kryetares së Parlamentit. “Nuk të kërkojmë shumë, thjesht të mos e pranosh më rolin që luajte sot për llogari të pushtetit. Sepse fyen dinjitetin tonë më zi sesa Sali Berisha apo Jozefina Topalli që janë shkaktarët e grevës sonë dhe përgjegjësit për çdo problem që ka lindur apo do të lindë në rrugën e kësaj sakrifice”, thuhet në letrën drejtuar deputetes demokrate. Sipas tyre politika nuk është arena ku ata që hyjnë duhet të shpërfytyrohen për pushtet, por skena ku të shpërfytyruarit prej pushtetit duhet të largohen.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›