Rama: Jam i gatshëm të hyj në grevë
Erald Kapri
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, shprehet i gatshëm të hyjë në grevë urie së bashku me 200 mbështetësit e tjerë të opozitës, të ngujuar në çadra para Kryeministrisë. Këtë paralajmërim Rama e bëri dje në mbledhjen me deputetët e Partisë Socialiste gjatë paradites. Ai është shprehur para deputetëve se është i gatshëm të hyjë edhe personalisht në grevë, nëse zgjidhja vonon. Një fakt të tillë kreu i opozitës e ka bërë publik edhe gjatë emisionit “5 pyetje nga Babaramo”. I pyetur nëse është i gatshëm të hyjë në grevë, Rama tha se: “Trupi im është në shërbim të kësaj kauze”. Ai pohoi se edhe deputetë të tjerë janë të gatshëm, ndërsa personalisht tha se do të vijë momenti i tij. “Përgjigja ime është kur të vijë momenti im. Aty janë njerëzit që kanë hyrë dhe që presin zgjidhje. Në qoftë se zgjidhja do të vonojë, atëherë kjo grevë do të kërkojë sakrifica të tjera. Sigurisht që njerëzit janë të gatshëm”, deklaroi Rama. Ndërkaq Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama u shpreh i vendosur për të vijuar më tej grevën e urisë kur kanë kaluar 5 ditë nga ngujimi i 200 grevistëve para kryeministrisë. Në konferencën për shtyp dhënë gazetarëve në mesditë para çadrës ku rrinë në ngujuar 200 grevistët e opozitës, Rama tha se do të ketë një shtim të numrit të tyre për t’i dhënë më shumë forcë mesazhit për transparencën e votimeve të kaluara. Njëkohësisht gjatë mitingut të pasdites, Rama u shpreh i vendosur për t’i shkuar deri në fund protestës. “Nuk do të ketë asnjë shtim të numrit në mënyrë artificiale, do të ketë shtim të numrit komfort domosdoshmërisë për ta fuqizuar protestën, për ta fuqizuar mesazhin, për ta fuqizuar shpirtin e sakrificës në një betejë që është për të ardhmen, në një betejë që është për të gjithë fëmijët e këtij vendi, në një betejë që është për të gjitha grupet shoqërore në këtë vend”, deklaroi Rama para gazetarëve. I pyetur nga gazetarët nëse do të përshkallëzohet protesta, Rama u shpreh i bindur se nuk do të ndalet. Ai tha se protestën do e çojnë para me këtë protestë paqësore. “Lidhur me thelbin e pyetjes tuaj që ka të bëjë me mënyrën se si do të përshkallëzohet protesta dhe raportin e protestës me qëndrimet e palëve që nuk janë në protestë, kam një përgjigje shumë të thjeshtë: ne nuk ndalemi!”, deklaroi Rama. Ai shtoi se “do e përsërisim pa pushim, nuk jemi në këtë protestë për pushtet, por për transparencë, nuk jemi në këtë protestë për interesin e një pale, por për interesin publik të Shqipërisë dhe të shqiptarëve. Nuk jemi në këtë protestë për të transformuar një kauzë të madhe, siç është kauza e lirisë dhe e ndershmërisë së zgjedhjeve në një instrument për të marrë pushtetin në tavolinë”.
Ndërkaq në protestën e pasdites, kreu i opozitës forcoi mesazhin e tij politik para qytetarëve të rrethinave të kryeqytetit që kishin ardhur në protestën e pasdites. Ai tha se ky pushtet është kthyer në një pushtet oborrtarësh se bllokistësh të rinj. “Berisha kujton se ne do të sprapsemi dhe të trembemi, por ne jemi këtu për t’i thënë jo me fjalë, por me vepra se ky vend nuk mund të tundohet më nga pushteti që nuk i lejon të votojnë”, deklaroi Rama. Ai iu drejtua edhe kreut të Qeverisë Berisha duke i thënë se i ka hipur kalit të pushtet mbrapsht dhe po shpejton rënien e vetë nga ky kalë. “Jam këtu për të mos e lënë këtë betejë të mbarojë derisa uzurpimi i votës të pushojë. Kush shpreson se kjo është një betejë me fjalë, po e sheh se çdo orë që kalon se kjo është një betejë me vepra. Kush kujton se këto vepra që janë individuale brenda një vepre të madhe të përbashkët, jo vetëm se i ka hipur këtij kali mbrapsht, por thjesht po përshpejton rënien e vetë nga kali”, tha më tej ai.
Kreu i opozitës foli më tej për gjendjen e grevistëve. Rama përmendi emrat e disave prej tyre, si të deputetëve ashtu edhe të qytetarëve të thjeshtë të ngujuar në çadrën para kryeministrisë. Në mënyrë simboli, Rama tha se në dorën e tij mban shallin kuq e zi të Romes, djalit 20 vjeçar grevist, i cili u dërgua në spital për shkak të grevës së urisë. “Ky është shalli i Romeos, është në dorën time dhe unë jam këtu vetëm njëri nga ju, në radhë për të mos e lënë këtë betejë të mbarojë deri kur uzurpimi i votës të pushojë”, u shpreh Rama. Shalli që kreu i opozitës mban në dorë, një shirit i kuq dhe një tjetër i zi, ngjyrat e flamurit, mbahej edhe nga deputetët e PS-së por edhe nga qytetarët në protestë. Në fjalën e tij para protestuesve, Rama reagoi edhe për pretendimet e deputetëve të maxhorancës se gratë socialiste janë detyruar të marrin pjesë në grevë. Më tej ai iu përgjigj edhe protestës të ish të përndjekurve politikë që protestuan para selisë së PS-së duke thënë se “unë kam shumë respekt për ish të përndjekurit politikë dhe i kam falur sepse janë viktima të gënjeshtrës së djeshme, por u bënë zëdhënësit e gënjeshtrës së sotme”.
Dokle: Gati të hyj në grevë
Deputeti i Partisë Socialiste Namik Dokle deklaroi dje pasdite në protestën e organizuar para çadrës ku qëndrojë grevistët, se ai është gati për të hyrë në grevë. Dokle tha se si në vitin 1996, Berisha vodhi votat dhe ai është i gatshëm të hyjë në grevë si 14 vite më parë. “Para shumë vitesh në vitin 1996 bashkë me kolegët e mi bëmë një grevë. E bëmë grevën sepse edhe atëherë Sali Berisha na vodhi votat sepse edhe atëherë Sali Berisha na mohoi lirinë. Sot me këta miq të mi deputetë, me njerëzit që na përkrahin, edhe unë jam gati të hyj përsëri në grevë dhe kjo do të jetë greva e fundit sepse do ti japim fund Sali Berishës”, tha deputeti i PS-së Namik Dokle.
Ngjela: Do t’i japim fund shpejt
Kryetari i Partisë Ligj me Drejtësi Spartak Ngjela tha dje në mitingun e pasdites së opozitës se shumë shpejt do t’i jepet fund protestës pasi do të rrëzohet Qeveria. “Do t’i japim fund patjetër në një diapazon të shkurtër. Nëse do të flasë për vendime gjykate për të mbrojtur vjedhjen, kurrë nuk do shpëtojë nga përgjegjësia që do i japë populli i tij”, tha Ngjela. Ai kërkoi rezistencë nga qytetarët për t’i dhënë fund siç e cilëson ai tiraninë e kësaj Qeverie. Ngjela tha se duhet “të përgatitemi për një betejë që do t’i japë fund përfundimisht ligësisë në këtë vend”. Në fjalën e tij Ngjela tha se vendi po qeverisët nga ministra kukulla të ngjashëm me kuislingë.