Përvjetori i Enverit, PD i kërkon opozitës të distancohet
Pas publikimit të një programi festimesh në Gjirokastër për 100-vjetorin e lindjes së diktatorit Enver Hoxha dhe pas mbushjes së mureve të qytetit me parulla të shkruara me bojë të kuqe atribuuar këtij përvjetori, dje dega e Partisë Demokratike në Gjirokastër, me anë të kryetarit të saj, Bexhet Çobani, ka reaguar ashpër dhe ka kërkuar parandalimin e festimeve. Ky reagim ka ardhur një ditë pas reagimit të ashpër të prefektit Spiro Ksera, drejtuar pushtetit lokal dhe institucioneve shtetërore për zhdukjen e parullave për diktatorin Hoxha. Kreu i degës së PD-së për Gjirokastrën, Bexhet Çobani, gjatë deklarimeve të tij për mediat ka qenë më i drejtpërdrejtë. Sipas tij, glorifikimi i figurës së Enver Hoxhës është një sjellje fyese për këdo shqiptar që ka vuajtur nën regjimin komunist. "Jemi dëshmitarë, ka thënë Çobani,të vrasjeve të djemve të rinj në kufi, internimeve, burgosjeve, pushkatimeve të personave që mendonin ndryshe nga diktatori". Sipas tij, kjo mjafton që gjithkush të dënojë këto akte aspak normale dhe t‘i përçmojë ato. Kreu i PD-së së Gjirokastrës i ka bërë thirrje Bashkisë së Gjirokastrës dhe sidomos Partisë Socialiste, të distancohen nga orvatjet që bëhen për glorifikimin e figurës së diktatorit në prag të 100-vjetorit të lindjes. "Historia për të gjithë diktatorët nuk ka rezervuar vend tjetër veç atë të turpit", tha kreu lokal demokrat. Pas reagimit të prefekturës dhe së fundit të PD-së, subjektet e tjera politike, kryesisht të majta, LSI dhe PS, apo edhe Bashkia e Gjirokastrës kanë zgjedhur rrugën e heshtjes për këtë çështje të debatueshme kohët e fundit. Ndërkohë, pritet që të hënën qyteti i Gjirokastrës të shndërrohet në qendrën e festimeve për 100-vjetorin e diktatorit Hoxha nga komunistët, të cilët kanë planifikuar organizimin e një sërë aktivitetesh. Për disa ditë me radhë, djali i madh i Enver Hoxhës, Sokol Hoxha, ka planifikuar çeljen për 24 orë rresht për pritje të adhuruesve të babait në banesën e vjetër të familjes, që është transformuar në muze etnografik. Ndërkohë që veçmas tij parashikohet që të organizojë pritje edhe pjesa tjetër e familjes Hoxha, bashkëshortja dhe djali tjetër Iliri. Burime të degës së Partisë Komuniste të Gjirokastrës thanë se nga data 12 deri në datën 14 tetor, në vendin ku ka qenë monumenti i Enver Hoxhës dhe në shtëpinë e tij në Palorto, do të ketë vizita të shumta nga e gjithë Shqipëria dhe nga shoqata e parti të lëvizjes marksiste-leniniste. Ndërsa datat 15 dhe 16 janë rezervuar për organizimin e festimeve në kryeqytet, ku pritet të ketë edhe një miting në sheshin "Skënderbej".