Antonio Tarver, sulm verbal ndaj Elvir Muriqit

Përballja Tarver-Muriqi për titullin e kampionit të botës ka kohë që është zhvilluar, por nuk është harruar. Antonio Tarver, që aktualisht konsiderohet si një nga boksierët më të mirë të të gjitha kohërave në kategorinë gjysmë të rëndë është duke u përgatitur për duelin e radhës kundër Danny Santiago dhe në një konferencë për media në kuadër të këtij dueli është "cmendur" kur gazetarët i kanë kujtuar duelin e tij të fundit të cilin e kishte fituar me vendim jounanim të gjyqtarëve. 39-vjecari amerikan ka shfryrë inatin duke akuzuar gjithë botën (gazetarët, gjyqtarët dhe tifozët) për mosnjohje të boksit profesionist.
"Akoma jam i mërzitur se njerëzit mendojnë se e pata vështirë në atë duel. Unë nuk mendoj se e kisha të vështirë", ka thënë Tarver për duelin e 9 qershorit të këtij viti kur pas 12 rundave ndaj "Kosova Kid" nuk kishte arritur që të bindë të tre gjyqtarët epërsinë e tij në këtë duel. "Nuk i kuptoj këta njerëz sesi e gjykojnë një duel të boksit. Nuk i kuptoj kriteret e tyre. Ata nuk e kuptojnë boksin e sofistikuar që unë bëj dhe që është të goditësh dhe të mos pësosh goditje", ka vazhduar Tarver pa harruar që të akuzojë "gjyqtarët që janë kundër tij".
Në anën e tij Elvir Muriqi kishte pretenduar se në duel me Tarverin, një ndër yjet e paktë të ringut profesionist në këto ditë në SHBA, atij i është vjedhur fitorja dhe kishte kërkuar mecin e revanshit, gjë që është refuzuar nga Tarver.
Elvir Muriqi aktualisht ka një bilanc prej 34 fitoresh (21 me "knockout") dhe 4 humbjesh në ringun profesionist. Në vitin 2004 ai ishte i 11-ti në renditjen e më të mirëve në versionin WBC, por humbjet aksidentale nga Danny Santiago dhe Oleksandr Garashchenko, i kishin prishur shumë punë. Pas duelit megjithëse të humbur me Antonio Tarver ai është rikthyer në mesin e 20 boksierëve më të mirë në botë për kategorinë gjysmë të rëndë, ndërsa në Evropë renditet i 8-ti.