E Diel, 1 Nëntor 2026

Bullgaria kërkon anëtarësim në eurozonë deri në vitin 2013



SOFJE - Bullgaria ka gjasa të anëtarësohet në zonën euro në vitin 2013. "Ekzistojnë mundësitë për futjen e euros gjatë vitit të fundit të mandatit të qeverisë së re të qendrës së djathtë që përfundon më 2013-n”, - deklaroi ministri bullgar i Financave, Simeon Djankov.
Për shkak të krizës ekonomik botërore, përqindja e inflacionit duhet të zbresë nën tre për qind gjatë këtij viti. Gjithashtu, Bullgaria do t'i përgjigjet të gjitha kritereve të anëtarësimit në zonën euro. Simeon Djankov nënvizoi se “deficiti buxhetor, që është sot në nivelin 2,2 për qind deri në 2,5 për qind nuk duhet të kalojë në tre për qind për të mos ulur mundësitë e vendit për anëtarësimin në zonën euro”.

EULEX-i dhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës firmosin Memorandumin

PRISHTINË - Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe Misioni i Bashkimit Europian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) nënshkruan një memorandum mirëkuptimi.
Këshilli Gjyqësor i Kosovës theksoi se ky memorandum ka të bëjë me një marrëveshje mes dy palëve përsa u përket përgjegjësive për mirëmbajtjen dhe përdorimin e Sistemit të Menaxhimit të Informimit të Lëndëve (SMIL) nga ana e gjyqtarëve dhe prokurorëve të EULEX-it dhe personelit tjetër të misionit EULEX. Memorandumi, gjithashtu, përcakton rolin dhe përgjegjësitë e palëve në lidhje me mirëmbajtjen e SMIL-it, si dhe ndryshimet e mundshme të këtij sistemi.

Rasmusen: “Ollbrajt, në krye të grupit të ekspertëve për të ardhmen e NATO-s”

BRUKSEL - Ish-sekretarja amerikane e Shtetit, Madlen Ollbrajt, do të drejtojë një grup prej 12 ekspertësh që do të përcaktojnë konceptin e ri strategjik të NATO-s, e thënë ndryshe misionin e ardhshëm të Aleancës, deklaroi dje sekretari i ri i Përgjithshëm i Aleancës, Andres Fogh Rasmusen, gjatë konferencës së tij të parë për shtyp në cilësinë e sekretarit në Bruksel. Rasmusen tha se për sa i përket konceptit të ri strategjik, ai synon të çojë përpara procesin e konsultimit publik, më të hapur dhe më gjithëpërfshirës, që nuk ka ndodhur kurrë më parë në historinë e NATO-s. Në grupin e 12 ekspertëve bën pjesë edhe një italian, Xhankarlo Aragona, aktualisht ambasador në Britaninë e Madhe.

4 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›