Shefi i ri i NATO-s, Rasmusen: “Do të reduktojmë trupat e KFOR-it në Kosovë”
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmusen, në ditën e parë të punës tha se synon reduktimin e misionit paqeruajtës ndërkombëtar në Kosovë, KFOR-in, që udhëhiqet nga NATO-ja. “Për Kosovën qëllimi im është i qartë: deri në fund të mandatit tim dëshiroj ta shoh KFOR-in të reduktuar në një forcë të vogël të reagimit, ose dalje të gjithë së bashku”, - tha të hënën Rasmusen, në një konferencë për gazetarë në Bruksel.
Duke folur për Afganistanin, ku, sipas raporteve, trupat e jashtme po ballafaqohen me periudhën më vdekjeprurëse prej vitit 2001, sekretari i ri i Përgjithshëm theksoi se synim afatgjatë duhet të jetë lëvizja drejt transferimit të përgjegjësive për siguri tek afganët.
Në këtë temë ai theksoi se mandati i NATO-s nga Kombet e Bashkuara është i qartë, “që të ndihmohet parandalimi që Afganistani të shndërrohet përsëri në stacion të madh të terrorizmit ndërkombëtar”. Mendohet se një nga sfidat e sekretarit të ri të Përgjithshëm të Aleancës Euroatlantike do të jenë dhe raportet me Rusinë. “Besoj se gjatë mandatit tim si sekretar i Përgjithshëm i NATO-s ne duhet të zhvillojmë një partneritet të vërtetë strategjik me Rusinë. Ne duhet ta zgjerojmë bashkëpunimin praktik në fushat ku kemi interesa të përbashkëta”, - tha Rasmusen.
“Është e qartë se do të ketë edhe çështje themelore, për të cilat ne nuk pajtohemi. Ne, për shembull, duhet të insistojmë që Rusia të bashkëpunojë me obligimet e veta ndërkombëtare, përfshirë edhe respektimin e integritetit territorial dhe lirinë politike të fqinjëve të saj”, - tha Rasmusen duke shtuar se, “ne nuk do të lejojmë që këto fusha të mospajtimeve t’i helmojnë raportet e tërësishme”.
4 Gusht 2009