E Diel, 1 Nëntor 2026

OSBE-ja, vetëm rol këshillues në zgjedhjet vendore të 15 nëntorit

Misioni i OSBE-së në Prishtinë deklaron tërheqjen nga procesi. KQZ-ja menaxhon procesin. Opozita dhe partitë serbe kundërshtojnë

Në zgjedhjet vendore të 15 nëntorit të këtij viti OSBE-ja nuk do të jetë organizatore e procesit, por tashmë do të jetë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të Kosovës. Autoritetet e Prishtinës dhe Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë kanë rënë dakord, por kjo është kundërshtuar nga subjektet politike serbe dhe opozita. Reagimi i tyre pason kërkesën e Beogradit që zgjedhjet lokale të 15 nëntorit, të organizohen nga OSBE-ja dhe jo nga institucionet kosovare. Zëdhënësja e OSBE-së në Prishtinë, Edita Buçaj tha dje për mediat e huaja se organizimi i zgjedhjeve nuk është më në kompetencën e kësaj organizate. “Roli i OSBE-së ka ndryshuar", - tha znj. Buçaj,"OSBE tani ka rol këshillues dhe i ofron asistencë teknike Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në kuptim të ngritjes së kapaciteteve dhe ngritjes së stafit të KQZ-së". "Që në zgjedhjet e kaluara ne kemi thënë se OSBE-ja gradualisht do të tërhiqet dhe organizimi i zgjedhjeve do të bëhet nga institucionet përgjegjëse për organizimin e zgjedhjeve, pra nga KQZ-ja".
Sekretari shtetëror në Ministrinë serbe për Kosovën, Oliver Ivanoviq, ka thënë se serbët nuk mund të marrin pjesë në zgjedhjet që do të organizojnë institucionet kosovare Kjo, sipas tij, do të nënkuptonte njohjen e pavarësisë së Kosovës. Si alternativë, ai ka propozuar organizimin e zgjedhjeve nga OSBE-ja.
Reagimet
Tërheqja e OSBE-së ka shkaktuar reagime edhe te partitë politike në Prishtinë. Disa prej tyre shprehen se ky është lajm i keq për demokracinë në vend dhe kërkojnë që gjatë rrjedhës së këtij procesi patjetër të përfshihen organizata ndërkombëtare. Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Nesrin Lushta, thotë se ky komision, me tërë kapacitetet e veta, është i përgatitur që të organizojë zgjedhje të suksesshme. Lushta vlerëson se tërë këto shqetësime të partive politike nuk qëndrojnë. Megjithatë, përfaqësues të partive opozitare thonë se organizimi i zgjedhjeve vetëm nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ngre dyshime për parregullsi dhe manipulime të mundshme, gjë që është kundërshtuar nga shefja e KQZ-së. Mësohet se kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve është duke pritur një përgjigje nga Komisioni Europian, pasi atij i është drejtuar me një kërkesë zyrtare për monitorim të zgjedhjeve lokale në Kosovë.
“Manipulim”
Ndërkohë, Beogradi ka vendosur të përsërisë mbajtjen e zgjedhjeve lokale serbe në dy komuna të Kosovës. Zoti Ivanoviq tha se me mbajtjen e tyre nuk do të krijohen institucione paralele. “Për ne këto nuk janë paralele. Për ne ato janë të vetmet institucione ekzistuese dhe të vetmet që populli serb i respekton. Institucione paralele janë ato të tjerat të cilat dikush tjetër po mundohet të na i imponojë”, - u shpreh z.Ivanoviq. Por autoritetet në Prishtinë kanë vlerësuar se vendimi i Beogradit për përsëritjen e zgjedhjeve në dy komuna të Kosovës, paraqet një lloj improvizimi të pushteteve që ka krijuar pakënaqësi të qytetarëve. Ministri i Pushtetit Lokal, Sadri Ferati, tha se organizimi i këtyre zgjedhjeve është një tjetër manipulim i Beogradit me serbët e Kosovës. Ai theksoi se Kosova është një shtet në zhvillim e sipër dhe se qytetarët serbë, do të kenë mundësinë që të bëhen pjesë e tij përmes pjesëmarrjes në jetën institucionale, në zgjedhjet lokale dhe procesin e decentralizimit. Ky proces, sipas ministrit kosovar do t’u ofrojë më shumë autonomi në komunat ku ata janë shumicë.
Zgjedhjet lokale në Kosovë zhvillohen më 15 nëntor dhe kësaj radhe synimi i komunitetit ndërkombëtar është që t’i jepet fund strukturave paralele në pushtetin vendor. Gjithsesi, serbët vazhdojnë të mbajnë peng proceset dhe të mos njohin autoritetin e shqiptarëve në vendbanimet e tyre.

Petriç, kundër idesë për shkëmbim territoresh mes Kosovës dhe Serbisë

Ish-i dërguari i BE-së për Kosovën, ambasadori Volfgang Petriç, i tha BBC-së se edhe shqiptarët, por edhe serbët, duhet të mësojnë se si ta pranojnë diversitetin në shoqëritë e tyre. Ai tha se ideja e shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë, nuk është një zgjidhje në kohën e integrimeve evropiane. Sipas tij, kjo ide ndoshta mund të nxiste një dialog më të gjerë rajonal, me përfshirjen e politikanëve dhe të shoqërisë civile në Luginën e Preshevës dhe në Mitrovicë. Deklaratat e tij pasuan qëndrimin e një ligjvënësi amerikan, Dana Rohrabacher, për shkëmbim territoresh mes Kosovës dhe Serbisë, me qëllim të arritjes së një zgjidhjeje të qëndrueshme në Ballkan. Sipas bisedës që bëri gazetari i BBC-së, ideja për shkëmbim territoresh mes Kosovës dhe Serbisë është një ide që i takon shekullit XX, kur është folur për shkëmbim popullatash. Kjo nuk funksionon. Në një Europë të bashkuar dhe të integruar duhet të ecet drejt pranimit të diversitetit. Kjo është më e rëndësishmja dhe kjo është ajo që shqiptarët e Kosovës duhet ta mësojnë dhe gjithashtu është diçka që serbët duhet ta mësojnë. Në të kundërtën, Europa nuk mund të ndërtohet. Katër ditë më parë një kongresist amerikan, i cili njihet si njohës i çështjes shqiptare, tha se duhet të bëhet shkëmbim territoresh mes Kosovës dhe Serbisë, ku njëra palë duhet të heqë dorë nga zonat e banuara serbe në veri të Mitrovicës, dhe tjetra në zonën e Preshevës, Bujanovcit dhe Medvegjës, ku banon një shumicë shqiptare.

4 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›