E Shtunë, 31 Tetor 2026

Heqja e imunitetit, PD: Ndryshime në Kushtetutë



Në rast se opozita jep konsensusin e saj, PD-ja do të ndërhyjë në Kushtetutë për të hequr imunitetin e zyrtarëve të lartë dhe deputetëve të Kuvendit. Partia Demokratike është e gatshme të pranojë çdo lloj propozimi të opozitës së majtë për heqjen e imunitetit për zyrtarët e lartë. Sipas deputetit demokrat Aldo Bumçi, PD-ja është e gatshme të ndërhyjë me konsensusin e socialistëve edhe në Kushtetutë për të hequr imunitetin, megjithëse sipas një interpretimi të Komisionit të Venecias, një nismë e tillë mund të ndërmerret edhe me një ligj që do të votohej nga 3/5 e deputeteve në Parlament.

"Ne jemi për ta bërë për të gjithë deputetët, si një akt i Kuvendit. Morëm model ligjin gjerman, ishte një akt i Kuvendit i cili bënte kufizimin e imunitetit të deputetit gjerman. Ka një mendim të Komisionit të Venecias. Nëse ka vullnet, zgjidhja gjendet. Zgjedhjet janë instrumente, ndryshimi i Kushtetutës me një ligj me 3/5, këto janë çështje teknike”, - shprehet z. Bumçi. Por, PD-ja është dyshuese ndaj opozitës në kërkesën për zhveshjen nga imuniteti të zyrtarëve të lartë të shtetit. Madje, deputeti Bumçi kritikon PS-në për mungesë vullneti në këtë drejtim, duke i kërkuar asaj mbështetjen politike. “A ka vullnet nga opozita? Jo, nuk ka, sepse kur ishin në shumicë, nuk e bënë dhe pse ishte kërkesë e BE-së. Gjatë katër viteve që ne ishim në qeverisje, ata gjithashtu nuk dhanë mbështetje për këtë nismë. Tani ne jemi të gatshëm që ta vendosim në pikë të parë të rendit të ditës në çdo moment që ata do të kenë vullnet", - deklaroi Aldo Bumçi, deputet i PD-së. Çështja e imunitetit të zyrtarëve të lartë u rikthye edhe një herë në vëmendjen e debatit politik. Pak ditë më parë, ambasadori amerikan në Tiranë, John Withers, deklaroi se liderët dhe zyrtarët shqiptarë duhet të veprojnë me integritet, në interes të publikut, pa u fshehur pas imunitetit apo masave të sigurisë që u cakton ligji. Fill pas tij, Kryeministri Sali Berisha u shpreh se mazhoranca e tij është kundër çdo imuniteti, duke bërë të ditur se kishte dërguar ligjin në Parlament të cilin opozita nuk e votoi. Sipas kreut të qeverisë, në këto kushte mazhorancës nuk i mbetej veçse të praktikonte një qëndrim të njëanshëm, ku çdo kërkesë nga organet e drejtësisë për heqje imuniteti do të jetë e pranueshme.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›