Shtëpia muze e Themistokli Gërmenjit, “mollë sherri"për trashëgimtarët
Shtëpia muze e patriotit Themistokli Gërmenji është bërë objekt i një konflikti pronësie. Trashëgimtarë të patriotit korçar pretendojnë se shtëpia muze, që është në bashkëpronësi, nuk ju njihet nga pala tjetër, ndërkohë që kanë ngritur akuza për tjetërsimin e shtëpisë, e cila është kthyer në lokal, duke shndërruar kështu destinacionin e saj. Nga ana tjetër, pala e akuzuar pretendon se ka pronësi të plotë mbi godinën dhe nuk është dëmtuar asgjë nga objektet që ajo mbart prej vitesh.
“Shtëpia lokal”E shndërruar prej vitesh në një vilë-lokal, ish-shtëpia e patriotit është bërë së fundmi objekt i konflikteve për pronësinë. Ndërkohë që një pikë tjetër debati është çështja e zhdukjes së objekteve me vlerë që kanë qenë në inventar në momentin e lidhjes së kontratës së qirasë mes trashëgimtarëve dhe një arkitekti korçar. Ky i fundit tashmë ka pjesën më të madhe të aksioneve që nga vitit 2006. Vila “Themistokli” është kthyer në një “mollë sherri” për çështje pronësie, duke çuar deri në ndërhyrjen e policisë në raste përplasjesh mes palësh. Disa herë trashëgimtarë të patriotit, që pretendojnë se kanë pjesë në bazë të certifikatave dhe testamentit, kanë hyrë në shtëpinë muze që figuron në pronësi të arkitektit Ilir Voci si bashkëpronar me pasardhësit e Themistokli Gërmenjit. Nga ana e tyre, pasardhës të familjes, që pretendojnë me akte pronësie se kanë pjesë në shtëpinë muze, hedhin akuza se këtij objekti i janë shkatërruar vlerat historike, duke u përdorur për qëllime të tjera. Për këtë, Llambi Dhimoshi, nip i gruas së patriotit Themistokli Gërmenji, ka denoncuar publikisht faktin se ish-muzeu nuk është më funksional dhe se vlerat e shumta që kjo shtëpi ruante, kanë humbur. “Konflikti i pronësisë ka ardhur si pasojë e faktit se unë nuk njihem si bashkëpronar nga ana e arkitektit Ilir Voci, edhe pse kam dokumente që vërtetojnë bashkëpronësinë. Pasi kemi pasur debate të shumta, ne si familjarë të patriotit Themistokli Gërmenji kemi pretendimet tona, sepse shtëpia muze që ka qenë dikur, është shndërruar në lokal dhe ky bashkëpronar i ka grabitur qytetit një nga shtëpitë muze me më shumë vlera, duke zhdukur edhe të gjitha objektet me vlerë dhe materialet që përdorte Themistokliu, që nga armët e deri tek objektet e tjera që kanë qenë dikur në këtë shtëpi muze, dhe të cilat i janë dorëzuar bashkë me objektin në fjalë si inventar i plotë arkitektit Ilir Voci. Ne kërkojmë që kjo vilë të rikthehet në identitet ashtu siç ka qenë dhe duam ta rikthejmë në muze, por kemi konflikte me bashkëpronarin, që ka mbyllur një kontratë qiraje në vitin 2006 dhe më pas ka blerë si bashkëpronar një pjesë të shtëpisë”, thotë Llambi Dhimoshi.
PretendimetDy palët në bashkëpronësi të ish-shtëpisë së Themistokli Gërmenjit janë konfiktuar pranë ambienteve të saj dhe ka qenë policia ajo që ka ndërhyrë për të shmangur tensionimin e mëtejshëm të situatës. Sipas policisë, ndaj 57-vjeçarit Llambi Dhimoshi ka nisur ndjekja penale në gjendje të lirë me akuzën “dhunim banese”. Nga ana e tij, arkitekti korçar, Ilir Voci, ka bërë të ditur se ka fituar bashkëpronësinë dhe në aktet që ai disponon nuk rezulton emri i 57-vjeçarit, gjë që sipas tij e ka bërë të mos njohë bashkëpronësinë për sa kohë që nuk ka një provë të sigurt mbi ekzistencën e këtyre trashëgimtarëve. “Kjo shtëpi muze është një objekt në sy të të gjithë qytetarëve. Ka 12 vjet që kanë hyrë dhe e kanë parë në të gjithë cepat e tij me koleksione ekspozimi me vlera, duke u kthyer në një objekt krenarie për Korçën. Po anatemohem si dhunues i këtij muzeu dhe jam gati të vë në dispozicion të drejtësisë dokumentet legale në bazë të së cilave unë jam bashkëpronar me mbesën trashëgimtare direkte të patriotit Themistokli Gërmenji. Ky objekt i vjetër, si shumica e objekteve, është në bashkëpronësi. Personi me të cilin kam qenë bashkëpronar ka vdekur para një viti dhe të tjerë pretendojnë se janë bashkëpronarë me mua. Unë ju kam kërkuar dokumentin e bashkëpronësisë, pasi aktualisht jam aksioneri me shumicë aksionesh i kësaj shtëpie, dhe nuk më rezultojnë persona të tjerë pasardhës përfitues. Për sa i përket faktit se kam tjetërsuar dhe grabitur muzeun me gjithë objektet me vlerë, aktualisht jam në funksion të idesë për të cilën është marrë shtëpia në pronësi dhe kam respektuar kontratën. Kjo shtëpi është monument kulture dhe është restauruar prej meje brenda të gjitha kritereve të monumenteve të kulturës, si dhe janë respektuar kriteret voluminoze dhe arkitekturore. Nuk e kam shkatërruar shtëpinë muze dhe as objektet”, thotë bashkëpronari Ilir Voci.
#