Bullgaria një vend partner që mbështet integrimin tonë në NATO
Bullgaria, një vend i ish-kampit komunist, aktualisht anëtare e BE-së dhe NATO-s, mbështet anëtarësimin e Shqipërisë me të drejta të plota në Aleancën e Atlantikut të Veriut, një proces ky që do t'i kontribuonte paqes dhe stabilitetit në rajonin e Ballkanit. Vizita e fundit dyditore në Sofje e Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, e cila kësaj here shoqërohej nga një grup i madh gazetarësh, kameramanësh dhe fotoreporterësh të mediave kryesore në Shqipëri, ishte dëshmi e kësaj mbështetjeje dhe fryme konstruktive që autoritetet më të larta bullgare përcollën për proceset integruese euroatlantike në Shqipëri.
Momenti më i rëndësishëm i vizitës në Bullgari të delegacionit parlamentar shqiptar ishte ratifikimi nga parlamenti bullgar i Protokollit të anëtarësimit të Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO, një moment i ndjekur drejtpërsëdrejti nga Kryetarja Topalli dhe homologu i saj kroat, Luka Bebiç.
Në fjalën mbajtur para parlamentarëve bullgarë, Kryetarja e Kuvendit e konsideroi "një ngjarje historike dhe privilegj të veçantë ratifikimin e Protokollit nga një vend mik si Bullgaria".
“Ne mundëm të ecim përpara falë mbështetjes së popujve miq dhe ndërmarrjes së reformave të guximshme, që tashmë janë të pakthyeshme. Shqipëria është në prag të anëtarësimit të plotë në NATO dhe në paradhomën e BE-së”, u shpreh znj. Topalli në përshëndetjen drejtuar deputetëve bullgarë.
Në takimin me homologun Pirinski, Kryetarja e Kuvendit vlerësoi nivelin shumë të mirë të marrëdhënieve dypalëshe, duke u shprehur për nxitjen e bashkëpunimit ekonomik. Nisur nga potencialet e mëdha të të dy vendeve, edhe kryeparlamentari bullgar theksoi nevojën për rritjen e nivelit të shkëmbimeve, sidomos në sektorët ekonomikë e socialë.
Kryetarja Topalli, në përgjigje të interesimit të parlamentarëve bullgarë për reformat ligjore në Shqipëri, tha se "kodi i ri zgjedhor pritet të përfundojë së shpejti dhe së bashku me kartat e identitetit do të jenë garancia për zgjedhje të lira e me standarde europiane".
Liberalizmi i vizave dhe rritja e investimeve bullgare në Shqipëri ishin dy çështje të rëndësishme që zunë vend në takimet e delegacionit shqiptar me Kryeministrin e Bullgarisë, Sergej Stanishev dhe ministrin e Jashtëm, Ivajlo Kalfin.
Z. Stanishev, i cili u shpreh i gatshëm të ofrojë përvojën e palës bullgare në rrugën drejt BE-së dhe NATO-s, i konfirmoi Kryetares së Kuvendit qëndrimin e qartë dhe të pandryshueshëm të Bullgarisë se “nuk mund të flitet për qëndrueshmëri rajonale nëse nuk kemi vendet e Ballkanit Perëndimor në BE.”
Përsa i takon investimeve bullgare në Shqipëri, ai theksoi nevojën për krijimin e kushteve të përshtatshme për rritjen e bashkëpunimit ekonomik dypalësh dhe nxitjen e marrëdhënieve të biznesit.
Duke u ndalur tek çështja e liberalizimit të vizave mes dy vendeve, Kryetarja e Kuvendit kërkoi mbështetjen e palës bullgare në përshpejtimin e procesit të liberalizimit të vizave, për të mundësuar lëvizjen e lirë të qytetarëve, të biznesit e studentëve.
Gjithashtu, në takimet me zyrtarët bullgarë znj. Topalli hodhi idenë që të dy vendet të koordinojnë nismat, për të marrë mbështetjen e Brukselit në zhvillimin e infrastrukturës së rajonit tonë.
...