E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bullgaria përkrah Kosovën, në vendosjen e reciprocitetit

Bullgaria mbështet Qeverinë e Kosovës, për vendosjen e reciprocitetit me Serbinë. Kjo mbështetje i është dhënë zv/kryeministres, njëherësh ministres së Tregëtisë Mimoza Kusari-Lila, nga ministri bullgar i Bujqësisë dhe Ushqimit, Miroslav Naidenov.
 

“Ne kemi kapacitete prodhuese që i tejkalojnë nevojat tona dhe mund të ndihmojmë në plotësimin e kërkesave të Kosovës për produkte të industrisë ushqimore, sidomos me grurë, ku ka sasi të konsiderueshme për eksport”, është shprehur ministri Naidenov.
 

Qëllimi i takimit ka qenë thellimi i rrugëve të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, posaçërisht në kuadër të sektorit të produkteve bujqësore, pasi Bullgaria konsiderohet si njëri ndër prodhuesit kryesor të produkteve të industrisë ushqimore në rajon, me fokus të veçantë në sektorin e shpeztarisë, grurit dhe produkteve të procesuara ushqimore.
 

“Qeveria e Kosovës është e përkushtuar që të thellojë edhe më tepër bashkëpunimin tregtar në fushën e bujqësisë me të gjitha vendet që kanë kapacitete prodhuese. Kjo vlen posaçërisht në këtë kohë kur kemi vendosur masat e reciprocitetit me Serbinë dhe Bosnjën e Hercegovinën dhe kemi një treg potencial prej 400 milion euro në vit i cili duhet zëvendësuar me produkte të vendeve tjera”, ka thënë ministrja Kusari Lila gjatë takimit.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›