Bullgaria po asimilon goranët e Kosovës e Shqipërisë
Bullgaria po intensifikon përpjekjet për të ofruar shtetësi, bursa shkolle e përfitime të tjera për komunitetin e varfër goran në Kosovë e Shqipëri, por kritikët thonë se vendi po keqpërdor statusin e tij si vend anëtar i BE-së për të përparuar politikat asimiluese për një kohë të gjatë ndaj etnive të tjera.
Goranët, shumica e të cilëve janë muslimanë e identifikohen si maqedonas, jetojnë në 18 fshatra të rajonit të Gorës, si dhe në rajonet e Zhupës e Prespës në zonën kufitare Shqipëri-Maqedoni-Kosovë.
“Ata [përfaqësuesit bullgarë] zakonisht vijnë çdo disa muaj. Pritet të mbërrijnë në Gorë në fillim të majit,” tha Avnija Rahte, president i Shoqatës së Maqedonas-Goranëve.
Rahte shpjegoi se bullgarët, të shoqëruar nga një avokat, përpiqen të bindin goranët për përfitimet e shtetësisë bullgare, duke përfshirë punësimin e mundshëm në vendet e BE-së, si dhe shkollimin falas në Sofje e Plovdiv.
E gjithë që goranët duhet të bëjnë është të nënshkruajnë dokumentet që t’a deklarojnë veten që kanë origjinë bullgare e janë bullgarë, tha ai.
Kushtetuta bullgare ofron alternativën që individët të marrin shtetësinë bullgare nëpërmjet një “procedure të lehtësuar”, e caktuar në ligjin mbi shtetësinë të vendit.
Agjencia për Bullgarët Jashtë Vendit, që organizon vizita, ka paraqitur një dokument strategjik 2010 në faqen e saj në internet, që shpjegon se politikë ka për qëllim të bashkojë të gjithë bullgarët në rajon e të rrisë nivelin e lindjeve të vendit në rënie.
Mbi 16,000 maqedonas morën shtetësinë bullgare vitin e kaluar, bashkë me 2,000 ukrainas e 1,000 serbë por vetëm gjashtë shtetas të Kosovës, sipas të dhënave të Agjencisë.
“Gati 1,500 banorë të Gorës, Zhupës e Prespës kanë marë shtetësinë bullgare,” tha për SETimes Gëzim Kurti, kreu i shoqatës Bullgarët në Shqipëri.
Studjuesja bullgare Antuaneta Primatarova sugjeroi në një artikull më parë këtë vit se Kryeministri Bojko Borisov është i gatshëm t’i japë frymë të re thënies së Bismarkut se bullgarët janë “prusianët e Ballkanit.”
“[Fraza nuk] nënkupton se Borisovi po pretendon një rol të posatçëm për Bullgarinë në Ballkan,” tha Primatarova për SETimes, por është një shaka lidhur me pozitën bullgare brenda BE-së.
Por jo gjithkush është dakort. Bullgaria po përfiton së qëni një anëtare e BE-së për të vazhduar politikën e saj të shekullit të 19-të të asimilimit kundër maqedonasve e të tjerëve, sipas Todor Petrov, president i Kongresit Botëror Maqedonas.
Petrovi shpjegoi se goranët kanë qenë tradicionalisht shënjestra, duke u shndërruar në serbë, bullgarë e grekë, po të jenë të krishterë e në shqiptarë, turq ose boshnjakë, po të jenë muslimanë.
“Këtë rradhë Bullgaria po përdor ‘politikën e pasaportave’ përveç përfitimeve materiale të vërtetuara nga koha të drejtuara ndaj disa prej njerëzve më të varfër të Ballkanit,” tha Petrovi për SETimes.
Ekspertët kosovarë thanë se një komunitet bullgar nuk ekzistonte deri së fundmi, kur disa goranë nisën të pranojnë shtetësinë bullgare.
“Nuk ka pakicë bullgare në Kosovë,” tha për SETimes Adrian Zeqiri, drejtor i OJQ-së kryesore të Kosovës, ECMI Kosova, që trajton çështjet e pakicave.
As kushtetuta e Kosovës, as ligji i saj mbi komunitetet, as Shqipëria nuk e njeh një pakicë bullgare.
Megjithatë, politika bullgare ka ringjallur debatin rreth origjinës e identitetit të goranëve.
“[Ata kanë] një identitet krize për shkak të rrethanave historike e politike,” tha për SETimes Fitim Spahiu i Qendrës për Kërkimin e Studimet Shoqërore në Dragash në rajonin e Gorës në Kosovë.
Disa goranë e kundërshtojnë fuqishëm karakterizimin.
“Gora është e populluar vetëm me maqedonas që jetojnë kryesisht në zonën kufitare Kosovë-Maqedoni. Në Gorë e Zhupë ka 30,000 maqedonas,” tha për SETimes Ismail Bojda, një nga udhëheqësit e Partisë Demokratike të Maqedonasve, me seli qëndrore në Gorë.
Përfaqësuesit goranë dërguan një kërkesë zyrtare nëntorin e kaluar tek qeveria e Kosovës që të përmenden në kushtetutë si një pakicë maqedonase; thanë se presin një përgjigje pozitive.
Maqedonia dha 15,000 shtetësi për anëtarë të komunitetit goran të Kosovës, si dhe 6,000 për goranë të tjerë që tani jetojnë në Maqedoni.
Përveç kësaj, dy maqedonas nga Gora do të jenë tani në këshillin konsultativ për pakicat, që po formohet tani në Prishtinë. Malazezët, romët, egjiptianët, vllahët e kroatët do të marrin gjithashtu pjesë në punën e këshillit.
Marrë nga SETtimes