Jahjaga, Zanierit: Jo zgjedhjeve serbe në Kosovë
PRISHTINE- Gjatë takimit të sotëm ndërmjet presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga dhe sekretarit të përgjithshëm të OSBE-së, Lamberto Zainer është diskutuar për zhvillimet aktuale në Kosovë dhe për vazhdimin e ndihmës që OSBE-ja e jep në fushën e demokratizimit dhe të sigurisë, ka njoftuar presidenca e Kosovës.
Presidentja Jahjaga në takimin me Zanierin ka thënë se zgjedhjet lokale të Serbisë nuk mund dhe nuk do të mbahen në territorin e Republikës së Kosovës sepse cenojnë integritetin territorial të Kosovës.
Ajo ka theksuar se institucionet e Kosovës e njohin standardin ndërkombëtar me të cilin shtetasit me shtetësi të dyfishtë e gëzojnë të drejtën e votimit në zgjedhjet e përgjithshme, dhe për këtë do të respektohen konventat ndërkombëtare.
Zanier, që në Kosovë ka shërbyer si përfaqësues special i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së ka shfaqur interesimin e tij për mundësinë e votimit të shtetasve të Kosovës, me shtetësi të dyfishtë në zgjedhjet e përgjithshme të Serbisë.