Bullgaria ratifikon Protokollin e Anëtarësimit në NATO
Parlamenti i Bullgarisë ka votuar dje pro ratifikimit të Protokollit të NATO-s dhe gjatë kësaj seance ka qenë e pranishme edhe kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli. Me ftesë të kryetarit të Kuvendit të Republikës së Bullgarisë, Georgi Pirinski, kryetarja e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, si edhe homologu i saj kroat, Luka Bebiç, asistuan në seancën plenare të Kuvendit të Republikës së Bullgarisë, seancë gjatë së cilës u ratifikua protokolli i anëtarësimit të Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO. Me këtë ratifikim, Bullgaria është vendi i shtatë që jep dakordësinë për këtë protokoll brenda një muaji. Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, foli përpara deputetëve bullgarë nga i falënderoi për votën e tyre pro ndaj këtij ratifikimi. Në nisje të fjalës së saj, Topalli cilësoi këtë ratifikim si një event historik për Shqipërinë, si një privilegj të veçantë adresimin e këtij Parlamenti. “Në një ditë kaq të veçantë, kur një vend tjetër mik ratifikon protokollin e pranimit të Shqipërisë në NATO”, - tha Topalli. Kryetarja e Kuvendit, në fjalën e saj është ndalur në një ekspoze të reformave të ndërmarra nga Shqipëria në procesin e integrimit, reforma të vlerësuara nga raportet ndërkombëtare. “Ne mundëm të ecim përpara falë mbështetjes së popujve miq, ne e mbajtëm gjallë ëndrrën evropiane dhe e çuam atë më tej; ne ndërmorëm reforma të guximshme dhe arritëm transformime kolosale dhe të gjitha këto në sajë të lidershipit të fortë, angazhimit, vendosmërisë, përgjegjshmërisë dhe besueshmërisë. Reformat tona janë të pakthyeshme, ndaj edhe Shqipëria do t’ia dalë mbanë për t’u renditur në krah të vendeve anëtare te BE-së. Zemra e madhe shqiptare nuk na ka lënë në baltë dhe nuk do të na lërë sot, më shumë se kurrë. Shqipëria është tashmë në prag të NATO-s dhe në paradhomën e BE-së”, - deklaroi Topalli përpara deputetëve bullgarë. Më pas, në deklaratën e saj Topalli u shpreh e bindur se ky proces do të jetë i mbarë për Shqipërinë. “Dëshiroj të theksoj se nuk ishte e lehtë, madje nuk ishte aspak e lehtë, por sot unë ndihem krenare që falë reformave të shumta politike, ekonomike dhe sociale të ndërmarra me kaq përpjekje e mundim gjatë këtyre viteve të fundit, ne bëmë të mundur që shqiptarët të përjetojnë ngjarje të shënuara historike. Në prill 2008, ne ia dolëm mbanë të marrim ftesën e anëtarësimit në NATO dhe besojmë fuqimisht se Shqipëria do të bëhet anëtare me të drejta të plota e kësaj Aleance vitin që vjen, sepse po rritet çdo ditë numri i vendeve që po e ratifikojnë Protokollin e NATO-s, sikurse kemi besim të plotë që brenda këtij viti do të përfundojë ratifikimi i MSA-së me BE-në, gjë që do t’i lejojë Shqipërisë të kërkojë statusin e kandidatit në BE”, - deklaroi Jozefina Topalli.