Pollo: Përpjekje për personat me aftësi të kufizuar, duhet koordinim

Tiranë, 23 tetor 21:01 NOA - Zëvendëskryeministri Genc Pollo mori pjesë sot në takimin “Zbatimi i strategjisë së Personave me Aftësi të Kufizuar” organizuar nga Fondacioni Shqiptar për te drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuar me mbështetje të USAID.
Në fjalën e tij Pollo tha se në kuadër të asaj që çdo shoqëri në nivelin e saj të humanitetit matet me qëndrimin që mban ndaj pakicave dhe personave me aftësi të kufizuar, problemet e këtyre të fundit janë në vëmendje të veçantë të qeverisë.
Sipas tij, “ata përbëjnë një angazhim serioz të saj për t’iu ofruar kushte të veçanta, një situatë kulturore dhe psikologjike të shoqërisë ku ata ta ndiejnë veten të barabartë, jo të paragjykuar si dhe me akseset e duhura në të gjitha mundësitë që do t’u ofrojë shoqëria”.
Pollo theksoi se është e rëndësishme të bashkërendohet me mirë puna për një bashkëpunim të frytshëm dhe konstruktiv midis institucioneve shtetërore, shoqatave të personave me aftësi të kufizuara dhe aktorëve ndërkombëtare për një monitorim dhe zbatim të plotë të Strategjisë Kombëtare për PAK.
Duke vlerësuar Strategjinë Kombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara jo si një qëllim në vetvete z. Pollo përshëndeti rolin e rëndësishëm në hartimin, promovimin dhe monitorimin e saj nga shoqatat e personave me AK”.
Në cilësinë dhe të kryetarit të Këshillin Kombëtar per Ceshtjet e Aftësisë së Kufizuar, krijuar në dhjetor të 2005, z. Pollo vlerësoi studimin, punën e bërë dhe raportin e paraqitur nga Fondacionit Shqiptar për të Drejtat e Personave me AK duke theksuar se në këtë mënyrë mundësohet një monitorim më neutral, objektiv dhe i besueshëm i strategjisë.
Vetë ky raport pasqyron se në zbatimin e kësaj strategjie ka tendencë të qartë progresi në krijimin e kushteve më të mira për personat me aftësi të kufizuar.
Në këtë sfidë, gjatë këtyre 3 vjetëve është mundësuar, përmirësimi i kuadrit ligjor, rritja e mbështetjes financiare dhe zgjerimit të numrit të përfituesve PAK, krijimi i Fondit Social i cili synon zgjerimin e rrjetit të shërbimeve sociale për të arritur ato objektiva që tashmë janë në strategji.
Regjistrimi i fëmijëve me aftësi të kufizuara, në shkolla, është në rritje, standardi i ri i miratuar nga MASH, i godinave të shkollave bazë parashikon shumë pajisje dhe mjete, të cilat bëjnë të mundshëm praninë normale në këto shkolla, të një fëmije me aftësi të kufizuar. Në këto përpjekje konkrete që po bëhen, ka ende më shumë për të bërë.
d.r/NOA