E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria “mungon” në Kosovë, shkaku: Topi

Shqipëria vazhdon të “mungojë” diplomatikisht në Kosovë për shkak të bllokimit që Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i ka bërë prej 8 muajsh firmosjes së ambasadorit Islam Lauka. Ndërkohë që shtetet perëndimore që njohën Kosovën shtet, tashmë janë të përfaqësuara në Kosovë me trupin e tyre diplomatik, Shqipëria është ndër të paktat vende që ende vazhdon të mos ketë ambasadorin e saj atje. Emri është caktuar dhe është pikërisht diplomati Islam Lauka i cili duhej të ishte zyrtarisht përfaqësuesi i Shqipërisë në shtetin më të ri të botës. Por mungesa e firmës së kryetarit të shtetit ka lënë ende vakante përfaqësinë e Shqipërisë në Kosovë. Ndonëse ende nuk dihet justifikimi i Presidentit Topi për këtë vendim të tij, paradoksi qëndron në faktin se në Kosovë, ende nuk ka një ambasador nga Shqipëria. Përveç rastit të z. Lauka, kryetari i shtetit Bamir Topi, prej muajsh ka bllokuar edhe kandidaturën e z. Mal Berisha, i cili është caktuar që të zëvendësojë ambasadorin Gazmend Turdiu në Gjermani. Mësohet se Presidenti ka refuzuar zyrtarisht dy emrat e paraqitur nga z. Berisha për hedhjen e firmës mbi emrat e Islam Laukës dhe Mal Berishës. Në këtë mënyrë, Ministria jonë e Jashtme do të jetë e detyruar të zgjedhë dy kandidatura të reja për ambasadat e saj respektive, në Kosovë dhe Gjermani, pasi është ndeshur me refuzimin prej 8 muajsh të kreut të shtetit për emrat aktualë.

Vendi ynë ishte i dyti pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës që njohu pavarësinë e Kosovës të 17 shkurtit 2008. Shqipëria, e cila duhej të ishte prezente me diplomacinë e saj në Kosovë, pikërisht në situatën premature të shtetit më të ri të botës, vazhdon të jetë pa ambasador. Me apo pa qëllime dashakeqëse, një qëndrim i tillë refuzues nuk i vjen aspak në ndihmë shtetit kosovar, dhe aq më tepër kur kjo vjen nga shteti amë. Dhe po rihapet një tjetër kapitull konflikti Presidencë-Kryeministri për diplomatët, gjë që ndodhi dhe në kohën e Presidentit Alfred Moisiu, i cili refuzoi Edit Harxhin dhe Tatjana Kongolin. Këtë po bën tani pasardhësi i tij, Bamir Topi, duke ngurruar në hedhjen e firmës mbi dy emra që kanë një karrierë të gjatë diplomatike. Pikërisht ky refuzim mund të bëhet shkak për një përplasje tjetër mes kryetarit të shtetit, Bamir Topi, dhe Kryeministrit Sali Berisha.

Basha pret ambasadorin e Kosovës në Tiranë

Ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha, shpreh angazhimin maksimal të Shqipërisë në mbështetje të shtetit të ri të pavarur e sovran të Kosovës, gjithashtu dhe kapërcimin e sfidave që ka përpara në rrugën e konsolidimit të demokracisë dhe ndërtimit të shtetit të së drejtës". Këtë ia bëri dje të ditur ministri shqiptar Basha, të Ngarkuarit me Punë të Republikës së Kosovës në Shqipëri, Gazmend Pulaj, me rastin e dorëzimit të letrave të akreditimit. Gjatë takimit, ministri Basha siguroi mbështetjen e Shqipërisë për sfidat që ka përpara Kosova në forcimin e ekonomisë dhe pjesëmarrjen e saj në proceset integruese rajonale, evropiane e euroatlantike për të zënë vendin që i takon në familjen e kombeve të lira e sovrane. Nga ana e tij, z. Pulaj shprehu mirënjohjen e popullit dhe të institucioneve të Kosovës, për mbështetjen e gjithanshme të Shqipërisë për realizimin e aspiratës së pavarësisë, si dhe për lobingun lidhur me njohjen e saj ndërkombëtare. Bashkëbiseduesit theksuan nevojën e intensifikimit të mëtejshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve në të gjitha fushat e interesit të përbashkët, në dobi të forcimit të paqes, sigurisë dhe stabilitetit në rajonin e Ballkanit e më gjerë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›