Deputetë të opozitës rrëzojnë konventën e KE-së për korrupsionin
Parlamenti nuk arriti dot të kalojë dje një ndryshim në Kodin Civil, që vinte si rekomandim nga Këshilli i Evropës për luftën antikorrupsion. Një pjesë e deputetëve të opozitës nuk i bashkuan votat me ato të maxhorancës, edhe pse në diskutimet përkatëse në Komisionin e Ligjeve ishte vendosur të kalohej me konsensus. Ndryshimi në Kodin Civil kishte të bënte me faktin që punonjësit të cilët punojnë në administratën shtetërore dhe që denoncojnë aktet korruptive do të jenë në mbrojtur ligjërisht, por ky ndryshim i rëndësishëm për filozofinë e maxhoranës i ka shërbyer politikisht një pjese të deputetëve të opozitës të cilët e abstenuan këtë ndryshim në Kodin Civil. Në fund të votimit, tabela elektronike numëroi 77 vota pro, 13 kundër dhe 7 abstenime. Ndryshimet në kode kërkojnë 84 vota, çka maxhoranca nuk i ka. Ky rezultat votimi bëri që mes maxhorancës dhe opozitës të lëshohen akuza të ashpra. Astrit Patozi, kreu i grupit parlamentar të PD-së, akuzoi ashpër një pjesë të deputetëve të opozitës, që sipas tij, janë zëdhënës së krimit. Vetëm minuta më parë deklaratës së Patozit, kryetarja e grupit parlamentar të PS-së, Valentina Leskaj, deklaroi ultimatumin i cili është miratimi sa më shpejt i Kodit Elektoral, por që sipas saj, ky ultimatum nuk kishte të bënte me votimin për ndryshimet në Kodin Civil pasi sipas saj, opozita ka votuar çdo nismë që ka shërbyer për reforma. Por pavarësisht shfajësimit të Leskajt, Patozi shënjestroi votat kundër dhe abstenuese në Kuvend, që sipas tij, ishin nga radhën e opozitës. “Unë gjykoj që gjesti i sotëm i opozitës ishte për të ardhur keq, sepse ultimatumi i zonjës Leskaj nuk kishte lidhje me votimin e sotëm, pasi një pjesë e grupit të PS-së votoi kundër këtij projektligji dhe një pjesë pro. Unë gjykoj që është një gjest joserioz dhe mbi të gjitha është një rast i përsëritur, ku PS-ja për fat të keq, bëhet avokate e korrupsionit në të gjitha segmentet ku ai është i pranishëm”, - tha Patozi. Por me këtë qëndrim nuk është pajtuar Valentina Leskaj e cila kaloi stafetën nga maxhoranca. Sipas saj, në sallë ishin vetëm tre ministra, që sipas Leskajt, tregon mosinpenjimin e kësaj maxhorance për reformat. “Për sa i përket çështjes së kodit, me sa duket, kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike ka qenë në pozitë të vështirë, besoj që media e ka të filmuar, aty ishin vetëm tre ministra, pra mungonte dhe qeveria e cila duhej të ishte aty për të plotësuar votat për të miratuar kodin, pra mendoj që mungesat që ka nga maxhoranca kryetari i grupit parlamentar do përpiqet t'i kërkojë nga opozita e cila ka votuar për kodin”, - tha Leskaj. Por për Astrit Patozin, vota kundër e disa deputetëve opozitarë ishte e pafalshme kur ndryshimet ishin kërkuar nga konventa e Këshillit të Evropës “Për korrupsionin”. “Në shkelje të rëndë të një marrëveshjeje të paarritur paraprakisht për këtë dhe mbi të gjitha që shndërron opozitën në një avokate të korrupsionit, sepse ligji ishte shumë i rëndësishëm në luftën kundër këtij fenomeni në vend”, - tha Patozi.