Bullgaria ratifikon Protokollin e NATO, Bush me ceremoni speciale për Shqipërinë
Parlamenti bullgar ratifikoi dje protokollin e anëtarësimit të Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO. Bullgaria bëhet vendi i shtatë që ratifikon protokollin nga vendet anëtare të Aleancës. Për këtë arsye kryetarja e Parlamentit shqiptar, Topalli, mbajti një fjalë përshëndetëse përpara deputetëve bullgarë, e cila ndodhet për një vizitë zyrtare në Bullgari, me ftesë të homologut të saj Georgi Pirinski. Në fjalën e saj përshëndetëse para deputetëve bullgarë, Topalli nënvizoi faktin se Shqipëria sot ndodhet një hap larg anëtarësimit të plotë në NATO. Por, siç vuri në dukje kryeparlamentarja, në Shqipëri ka ende probleme për të zgjidhur, siç është problemi i korrupsionit, krimit të organizuar. Gjithashtu Topalli u bëri të ditur deputetëve bullgarë disa prej reformave të ndërmarra në vend. Duke premtuar se reformat në vend janë të pakthyeshme, Topalli shtoi se Shqipëria në këtë kuadër është e angazhuar të përballojë të gjitha sfidat për integrimin e saj drejt BE-së dhe NATO-s. Ndërsa sot Presidenti amerikan, Xhorxh Bush, në një ceremoni që zhvillohet për herë të parë në Shtëpinë e Bardhë do të nënshkruajë Protokollin e Anëtarësimit të Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO. Një ceremoni e tillë është e para që zhvillohet nga Shtëpia e Bardhë. Një zgjedhje e tillë e Presidentit amerikanë Xhorxh Bush, veç një akti simbolik, është edhe një vlerësim dhe mbështetje për Kroacinë dhe Shqipërinë. Në ceremoninë e nënshkrimit mësohet se do të jetë i pranishëm edhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jaap de Hoop Scheffer dhe senatorë e kongresmenë amerikanë, anëtarë të Komisionit të Jashtëm të Senatit të SHBA-ve, përfaqësues të trupit diplomatik, miq dhe dashamirës të të dy vendeve kandidate. a.l.
Takimet e Topallit në Bullgari
Gjatë vizitës së saj në Bullgari, Kryetarja e Kuvendit, Topalli, pritet të takohet me Kryeministrin e Republikës së Bullgarisë, Sergej Stanishev, Kryetarin e Kuvendit Popullor, Georgi Pirinski, zv/presidentin e Republikës, Angel Marin, zv/kryeministrin dhe ministrin e Punëve të Jashtme, Ivajlo Kalfi etj. Kryetarja e Parlamentit ka zhvilluar një sërë takimesh në vendet anëtare të Aleancës për të përshpejtuar nënshkrimin e protokollit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, por dhe të MSA-së. Deri tani parlamentet e Hungarisë, Letonisë, Lituanisë, Polonisë, Rumanisë, Bullgarisë dhe Senati i SHBA-ve, kanë ratifikuar protokollin e Shqipërisë në NATO. Nënshkrimi nga gjithë vendet anëtare pritet
të përfundojë deri në fund të vitit.