Ndoka: Mocion për shkarkimin e Topallit, Meta: E mbështesim ne
Aristir Lumezi
Kreu i Partisë Demo-kristiane, Nard Ndoka, i bëri thirrje deputetëve për të gjetur mekanizmat për të hequr nga posti i kryetares së Parlamentit, Jozefina Topallin. Duke folur dje në seancën parlamentare, Ndoka lëshoi akuza të rënda ndaj kryetares së Parlamentit, duke e akuzuar si fajtore për minimin e jetës parlamentare dhe për konfliktet institucionale të ndodhura ditët e fundit. “Jozefina Topalli ka përgjegjësinë e plotë të minimit të jetës parlamentare për konfliktet e hapura dhe të vazhdueshme ndërmjet institucioneve; për dobësimin e rolit të Parlamentit në reformë, për dështimin e disa komisioneve hetimore të Parlamentit dhe për kritikat e ndërkombëtarëve”, tha kreu i PDK-së, Nard Ndoka. Duke folur para deputetëve të Kuvendit, Ndoka solli në vëmendje rast pas rasti shkeljet që, sipas tij, kishte bërë kryetarja e Parlamentit. “Të gjithë mbajnë mend pretendimin e kryetares së Parlamentit për të mbajtur peng hetimet e Gërdecit, për heqjen e imunitetit të akuzuar për këtë çështje; për letrat urdhëruese antiligjore të dërguara Prokurores së Përgjithshme dhe dhunës verbale antiligjore kundër kryetarit të shtetit”, tha Ndoka. Kreu demokristian e cilësoi Parlamentin si pronë të kryeparlamentares. Ndoka tha se Topalli është një “militante, që nuk ka lidhje me politikën dhe që çdo ditë e më shumë e sheh Parlamentin si një prej shumë pronave private që ka shtuar pas vitit 2005”. Ndoka kërkoi ndihmën e deputetëve për të gjetur mekanizmat për largimin e saj nga posti i kryetares së Parlamentit. “Kryetarja e Parlamentit ka humbur çdo të drejtë morale për përfaqësimin dhe drejtimin e Parlamentit. Duke ditur mirë se në ambicien e saj për pushtet nuk funksionon asnjë rregull demokratik, siç është dorëheqja, ftoj Parlamentin të gjejmë mekanizmat kushtetues për dorëheqjen e saj sa më parë dhe kthimin e identitetit të humbur të Kryesisë së Parlamentit. Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, e mbështeti iniciativën e kreut demokristian dhe u shpreh se partia që ai drejton do votonte pro shkarkimit të Topallit. “Lëvizja Socialiste për Integrim nuk është kaq e vonuar për këto iniciativa, por përkundrazi ne prej disa muajsh jemi shprehur të gatshëm se, në rast se grupi i PS-së do të riaktivizonte mocionin ndaj znj.Topalli, sikurse u bë e ditur muaj më parë, ne do e mbështesnim. Kjo gjë nuk ka ndodhur, por ne në çdo moment kur mund të ndodhë shprehemi të gatshëm që do e mbështesim, sepse mendojmë se ka mjaft probleme serioze në funksionimin e Parlamentit, dhe që kanë të bëjnë me shkeljen e parlamentarizmit dhe gjithë procedurave demokratike”, tha Meta. Kreu i LSI-së argumentoi pse duhej shkarkuar kryetarja e Parlamentit, Topalli. “Disa herë Kryeministri Berisha ka dhunuar Parlamentin si institucion dhe kryetarja jo vetëm që nuk ka mbajtur qëndrim ndaj tij, por e ka favorizuar këtë sjellje arrogante dhe përçmuese të tij ndaj Parlamentit”, tha Meta. Sipas kreut të LSI-së, nuk duhet të largohet vetëm kryetarja e Parlamentit, por dhe Kryeministri Berisha, për të cilin LSI ka kërkuar disa herë imponimin nga ana e opozitës për një gjë të tillë. “Ne jemi të bindur që zoti Berisha, jo vetëm duhet të largohet tani, por duhet të ishte larguar me kohë, ndaj ne kemi qenë dhe jemi të hapur për çdo iniciativë që synon largimin e tij, por kuptohet që pas 21 Prillit kjo është shumë e vështirë. Këtu qëndron edhe arsyeja përse Berisha i lutet opozitës për të bërë mocion mosbesimi, sepse pas këtyre ndryshimeve kushtetuese nuk duhen 71 vota, por duhen 142”, tha Meta.
PS u tërhoq nga mocioni i tretë
Grupi parlamentar socialist dhe kryesia socialiste vendosën pak muaj më parë të kërkonin mocionin e tretë të shkarkimit për Jozefina Topallin. Shkak për këtë mocion u bë kërkesa që Topalli i dërgoi Ministrisë së Brendshme për hetime ndaj 5 të dekretuarve nga ana e Presidentit Topi për në Gjykatën e Lartë. Ideja e mocionit u artikulua fillimisht nga Erion Braçe, e më pas nga Edi Rama dhe Valentina Leskaj. Për këtë qëllim kryesia socialiste vendosi të ngrinte dhe një grup pune nën drejtimin e Fatmir Xhafës për të hartuar mocionin. Por si përfundim kjo ide mbeti vetëm e tillë, pasi socialistët u tërhoqën në mënyrë të pakuptimtë nga kërkesa për mocion ndaj Topallit, duke e "falur"
për shkeljet e saj.