Burrel, këshilltarët sherr për Skënderbeun
BURREL - Shumica e këshilltarëve të Bashkisë Burrel janë shprehur në mbledhjen e fundit se busti i Skënderbeut, i vendosur në sheshin para Bashkisë Burrel, duhet spostuar në një vend tjetër dhe në vend të tij duhet të vendoset shtatorja e ish-mbretit Zog, Ahmet Zogu. Kryetari i Këshillit Bashkiak, Besnik Murati, u shpreh se është e dyta herë që ky këshill diskuton rreth propozimit të një grupi historianësh e intelektualësh për vlerësimin e figurës së mbretit Zog. Grupi i punës është mbledhur në ambientet e Muzeut Historik të rrethit. Pas mbledhjes, administrata e bashkisë ka përgatitur relacionin drejtuar Këshillit Bashkiak për vend vendosjen e shtatores së Ahmet Zogut. Në mbledhjen e zhvilluar ka pasur debate të shumta mes këshilltarëve të të gjitha forcave politike. Shumica e tyre janë shprehur se nuk janë kundër figurës së Skënderbeut, që ndodhet në sheshin para bashkisë, por ata thonë se shtatorja e ish-mbretit duhet të vendoset në sheshin me të njëjtin emër, pra sheshi "Ahmet Zogu", i emërtuar vite më parë nga Këshilli Bashkiak i këtij qyteti. Specialistët janë shprehur me shkrim se shtatorja e Ahmet Zogut duhet vendosur në këtë shesh, pasi ishte mbreti Zog që ndërtoi themelet e qytetit, të godinës së bashkisë dhe lulishten në këtë qytet. Këshilltarët janë ndarë në dy grupime. Shumica janë shprehur që busti i Skënderbeut duhet të vendoset ose në sheshin "Demokracia", aty ku aktualisht partitë politike zhvillojnë mitingjet ose në mjediset e Muzeut Historik, ndërkohë këshilltarët e majtë dhe ai i pavarur nuk janë dakord që busti i Skënderbeut të lëvizë nga sheshi ku është montuar dekada më parë. Debati është ndërprerë nga drejtuesit e këshillit, sipas të cilëve ky vendim do të merret pas konsultimit me arkitektë, skulptorë dhe historianë. e.d