Drafti i qeverisë, ndërtuesit:Ok afateve të reja për lejet
Fabiola Çela
Shoqata e Ndërtuesve është shprehur pro ligjit të ri të urbanistikës. Sipas draftit të ri të qeverisë, drejtori i Përgjithshëm i Urbanistikës së bashkisë ose komunës ka 45 ditë kohë të shqyrtojë kërkesën për lejen e ndërtimit. Nëse brenda këtij afati ai nuk shprehet për këtë kërkesë, atëherë kërkesa quhet e miratuar në heshtje. Ky nen i këtij drafti është vlerësuar si goxha pozitiv nga ana e ndërtuesve, pasi sipas tyre vendosja e një kushti të tillë do të detyrojë administratën shtetërore për të kthyer në kohën e duhur përgjigjet për marrjen apo jo të një leje ndërtimi.
Reagimi
Pas miratimit të draftit të ri të urbanistikës nga Këshilli i Ministrave, ka ardhur edhe reagimi i Shoqatës së Ndërtuesve. "Ne sapo kemi marrë në dorë draftin e fundit dhe po e shqyrtojmë me kujdes atë për të parë reflektimin e propozimeve tona. Nga praktika e deritanishme kemi parë që variantet përfundimtare ndryshojnë në elemente thelbësore, duke ndryshuar gjithë konceptin e projekteve fillestare", janë shprehur drejtues të Shoqatës së Ndërtuesve. Por, sipas tyre, parimi i pranimit të heshtur i kërkuar me forcë nga ana e tyre, ka gjetur pasqyrim në këtë projekt. "Ne mendojmë se ky parim do të detyrojë administratën të respektojë afatet ligjore dhe të kthejnë përgjigje për praktikat brenda limiteve ligjore. Ne nuk duam që parimi i pranimit të heshtur të jetë parimi bazë i ligjit, por ky parim të shërbejë si nxitje për vënien në lëvizje të administratës së pushtetit vendor", kanë theksuar ndërtuesit. Sipas draftit të ri të miratuar dje nga qeveria, drejtori i Përgjithshëm i Urbanistikës së bashkisë ose komunës ka 45 ditë kohë të shqyrtojë kërkesën për lejen e ndërtimit. Nëse brenda këtij afati ai nuk shprehet për këtë kërkesë, atëherë kërkesa quhet e miratuar në heshtje. Kjo procedurë është e njëjtë si për lejet e ndërtimit, lejet e infrastrukturës, lejet e veçanta dhe lejet komplekse. Në këtë draft një vend të rëndësishëm zë edhe neni 120, që ka të bëjë me gjobat dhe penalitetet. Në ligj saktësohen dhe gjobat e penalitetet për rastet kur sipërfaqja e ndërtuar është më e madhe se sipërfaqja që është përcaktuar në lejen e ndërtimit. Kështu, nëse konstatohet se sipërfaqja e ndërtuar është 5 për qind më e madhe se sipërfaqja e përcaktuar në lejen e ndërtimit, vendoset gjobë deri në 25 për qind të çmimit të shitjes së të gjithë objektit. Nëse sipërfaqja e tepërt është deri në 10 për qind, gjoba është deri në 50 për qind të objektit.