E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjermania jep 90 milionë euro për energjinë

 

Gjermania i ka akorduar Shqipërisë një shumë prej 90 milionë euro për dy projekte të rëndësishme. Bëhet fjalë për ndërtimin e linjës energjetike 400 kilovolt Tiranë-Prishtinë dhe linjës 110 kilovolt të unazës së jugut. Kreu u qeverisë, Sali Berisha, ka marrë pjesë dje në ceremoninë e hapjes së zyrës rajonale të Bankës Gjermane për Zhvillim KfW në Tiranë, si dhe nënshkrimit të dy marrëveshjeve me këtë bankë. Ambasadori i Republikës Federale gjermane, Bernd Borchard, gjatë fjalës së tij vlerësoi bashkëpunimin e shkëlqyer me qeverinë shqiptare, duke u shprehur se ky bashkëpunim nuk qëndron thjesht në akordim fondesh, por është konkretizuar në vepra që janë të prekshme për qytetarët. Ndërsa kryeministri Berisha u shpreh se, "ne kremtojmë 20-vjetorin e marrëdhënieve tona, të nënshkrimit të protokollit të parë të bashkëpunimit ekonomik, me një bilanc të madh suksesesh". Sipas tij, qeveria gjermane gjatë këtyre viteve ka investuar me qindra projekte, tashmë të konkretizuara, me një vlerë rreth 800 milionë euro. "Në krye të kësaj bujarie qëndron Banka Gjermane për Zhvillim KfW, e cila ka realizuar shumicën dërrmuese të këtyre projekteve me rreth gjysmë milionë euro. Hapja e zyrës rajonale të KfW-së këtu në Tiranë, është një ngjarje shumë e madhe dhe e rëndësishme për ne dhe rajonin", ka theksuar ai. Ndërsa lidhur me projektet energjetike, kreu i qeverisë ka vënë në dukje rëndësinë e realizimit të këtyre dy projekteve. "Ne jemi të kufizuar me 2 vende mike, si Maqedonia dhe Kosova, vende që e kanë jetik bashkëpunimin me njëri-tjetrin. Vetëm financimi i linjës elektrike me Kosovën përbën një ndihmë të jashtëzakonshme në fushën e energjisë për të dy vendet, që do të mundësojë optimalizimin e përdorimit të energjisë, pasi burimet energjetike janë krejtësisht të ndryshme. Ky projekt vendos gjithashtu një komandë të përbashkët të sistemeve energjetike", është shprehur ai. Në Shqipëri, 95 për qind e prodhimit të energjisë sigurohet nga burimi ujor, ndërsa në Kosovë, po kaq për qind vjen nga burimi i qymyreve. Piket e konsumit energjetik në të dy vendet janë të ndryshme. Po kështu do të jetë edhe për linjën elektrike me Malin e Zi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›