E Shtunë, 31 Tetor 2026

Braçe: Topallin e kanë mbështetur nga opozita

 

Nënkryetari i grupit parlamentar socialist, Erion Braçe, në pamundësi të dhënies së një qëndrimi të prerë nëse PS-ja e mbështet kërkesën për mocion shkarkimi ndaj kryeparlamentares, tha dje se Topalli është mbështetur në mocionet e mëparshme nga deputetë të opozitës. “Për fat të keq, zonja Topalli ka gjetur mbështetje publike apo jo publike, ilegale, nën tavolinë nga shumë grupe parlamentare, midis të cilëve ka pasur edhe deputetë të opozitës që i kanë dhënë mbështetje. U diskutua një prej iniciativave tona kushtetuese në raport me zonjën Topalli, që t’i falej për herë të fundit faji, mënyra dhe degjenerimi i Parlamentit, siç ka ndodhur”, tha Braçe. Me një gjuhë të ndierë dhe jashtë etikës parlamentare, Braçe foli dje dhe për marrëveshje të fshehta me Jozefina Topallin. “Ashtu siç kam ndierë, që nën tavolinë vota të opozitës kanë rrjedhur për zonjën Topalli. Ju mund t’i gjeni dhe t’i shikoni fare mirë se kush, cilët fërkohet, përkëdhelet apo bën qejf me zonjën Topalli”, tha Braçe.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›