E Shtunë, 31 Tetor 2026

Buxheti 5 miliardë USD, Berisha: 50% rritje për pensionet e pagat

 

Shqipëria vitin 2009 do të ketë buxhetin rekord prej 5 miliardë dollarësh. Kreu i qeverisë e konfirmoi këtë edhe njëherë në mbledhjen e djeshme të Komitetit të Planifikimit Strategjik. Sipas tij nga ky buxhet, që do të jetë i impenjuar me 1 miliard vetëm për infrastrukturën do të përfitojnë edhe 800 mijë familje rritje direkte të së ardhurave. "Buxheti i jep mundësi qeverisë të realizojë rritjen e premtuar të pagave dhe pensioneve, një rritje unike në mbarë Evropën. Asnjë vend tjetër jo vetëm në Evropë, por edhe më gjerë, nuk ka bërë në 4 vjet, dyfishim të pagave të mësuesve, infermierëve dhe mjekëve, siç do të bëjmë ne, nuk ka bërë një rritje me mbi 60 për qind të pagës mesatare të administratës, nuk ka bërë dyfishim të pensionit minimal, nuk ka bërë rritje me 50 për qind, ashtu siç do të bëhet, të pensioneve në qytet dhe pensioneve të tjera. Nga kjo politikë, kanë përfituar në mënyrë të ndjeshme 800 mijë familje shqiptare, të cilat kanë pasur një përmirësim thelbësor të buxhetit të tyre familjar".
Në buxhet është parashikuar përfundimi i akseve të mëdha si ai Durrës-Kukës, Bllatë-Bulqizë, Korçë-Qafë Plloçë dhe Vlorë-Sarandë. Por sipas Berishës, në rast se shqiptarët do votojnë sërish qeverinë, atëherë do të shndërrohet me 4 korsi autostrada Fushë Krujë-Milot, do fillojnë punimet për ndërtimin e segmentit të rrugës së Arbrit, Bulqizë-Klos. Sapo të mbarojë projekti, fillon ndërtimi Tiranë, nga Shkalla e Tujanit, drejt Klosit. Duke u ndalur në aksin perëndimor, Berisha nënvizoi se aktualisht është në projektim dhe do të fillojë shumë shpejt ndërtimi i autostradës Plloçë-Qukës, që sipas të dhënave paraprake, është fizibël dhe shumë e nevojshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›