E Diel, 1 Nëntor 2026

Bulqiza, e mbërthyer nga ethet e kromit

Situata në pjesën jugore të Minierës së Bulqizës, thënë ndryshe, "zona D", vazhdon të mbetet tejet e tensionuar dhe problematike. Shkak për këtë acarim vazhdojnë të jenë përplasjet e forta mes firmave të vogla të licencuara nga qeveria dhe kompanisë "Albanian Chrome-ACR" që mban koncesionin e kësaj miniere, si dhe shumë blerësve privatë të mineralit, të cilët në qytetin e Bulqizës njihen me emrin "të fortët". Nuk kanë munguar as krismat e armëve, vjedhjet e kromit në galeri dhe stoqe, madje dhe humbjet e jetëve njerëzore, siç ndodhi para rreth një viti, kur 50-vjeçari F.Doda u vra pas përplasjes me armë mes dy grupeve rivale.
Licencimi
Ndërkohë që sindikata e minatorëve të kompanisë koncesionare "ACR" dhe mediat lokale paralajmëronin për tensionimin dhe përplasjet në këtë zonë të minierës, ish-ministri i Ekonomisë, Genc Ruli, licencoi mbi një duzinë firmash të vogla private për shfrytëzim kromi. Këto funksionin në blloqe minerare, shumica brenda hartës koncesionare të minierës ekzistuese, dhënë njëherë në vitin 2001. Shumë nga këto kompani duhej të investonin për të hapur galeri, për të arritur në bllokun minerar të licencuar për shfrytëzim. Por, investimet për hapje galerish duan shumë para, që për firma të vogla me 10 deri në 20 punëtorë janë thuajse të pamundura, pasi sipas specialistëve të minierës, hapja e një kilometri galerie kromi kërkon mbi 1 milion euro.
Ndodhur përpara kësaj situate, firmat e licencuara nga METE filluan menjëherë punën në këto galeri, duke i kërkuar kompanisë koncesionare "Albanian Chrome" leje kalimi nëpër galeritë dhe territorin e saj, si dhe duke shfrytëzuar mjete të saj si shina, vagonë etj., për nxjerrjen e mineralit nga galeritë. Firmat e vogla, sipas inxhinierëve të minierës, duke mos pasur potencialin e duhur inxhiniero-teknik, kanë çuar në përkeqësimin e kushteve të sigurisë në punë edhe për 75 minatorët e "ACR"-së që punojnë në zonën D. "Ka raste kur këto firma u kanë vënë dinamitin edhe këmbëve të galerisë, pa e kuptuar se një veprim i tillë mund të rrezikojë shembjen, duke i mbyllur kështu përfundimisht këto galeri", thotë një inxhinier.
Tensionet
Një tjetër problem mbetet edhe ai që lidhet me grumbullimin e mineralit të nxjerrë nga këto firma, në piacalen (sheshpushimin e hyrjes) në zonën D, që është territor i administruar nga "ACR"-ja. Sipas një urdhri të ish-ministrit të Ekonomisë, Genc Ruli, kjo zonë konsiderohet e rrezikshme. "Firmat, shpeshherë edhe forcërisht, e përdorin këtë shesh qëndrimi për depozitim minerali, në një kohë kur ai është i rrezikshëm edhe për qëndrimin e njerëzve në të", thotë drejtori i minierës, Petrit Duva. Ndërkohë, situata mbetet edhe më kritike se kaq, po të kemi parasysh edhe konfliktet mes firmave fantazmë dhe atyre të licencuara që nxjerrin sasi të kufizuara kromi nga kjo zonë. Shpesh firmat fantazmë ushtrojnë presion mbi shoqëritë e licencuara, duke krijuar një klimë terrori, ku jo rrallë është kërkuar edhe ndërhyrja e policisë lokale. Kështu, vetëm pak ditë më parë, jo larg kësaj zone ndodhi një shpërthim tritoli, që sipas policisë ishte përdorur në kuadër të konkurrencës për shantazh. Përballë kësaj situate, firma "Albanian Chrome", e cila mban koncesionin e shfrytëzimit të minierës, sipas drejtorit Petrit Duva e ka fokusuar punën e saj në thellimin e pusit të ri, një investim ky që pritet të arrijë në 30 milionë dollarë. "Thellimi i këtij pusi do të mundësojë shfrytëzimin e një damari nëntokësor kromi, të zbuluar nga ‘Albanian Chrome‘, që parashikohet se arrin në 1.8 milionë tonë të një cilësie shumë të mirë. Ne besojmë se ky pus do t‘ia zgjasë jetën Minierës së Bulqizës, me të paktën 20 deri në 25 vite, duke rritur në përfundim të tij numrin e të punësuarve në këtë minierë me 30- 40%", thotë drejtori Petrit Duva.
Sindikatat
Me gjithë përmirësimet e shumta në kushtet e punës dhe sigurisë në galeritë e thella të minierës, sindikatat ndjehen të kërcënuara nga "politikat pa vizion" të qeverisë, si dhe nga "betejat e interesave personale" që luhen lart nga persona të veshur me pushtet. "Kërkesa jonë për uljen e moshës së pensionit, e artikuluar prej kohësh nga ana jonë, nuk është marrë parasysh nga qeveria, e cila e uli moshën e pensionit për ne minatorët nga 65 në 60 vjeç dhe jo në 50 vjeç, siç ka kërkuar sindikata e minatorëve", thotë kreu i sindikatës së minatorëve, Dilaver Përkoxha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›