E Diel, 1 Nëntor 2026

Part-time, datat dhe dokumentet për aplikim

Maturantët që nuk janë shpallur fitues deri tani kanë mundësi të aplikojnë sërish për të marrë statusin e studentit. Pas miratimit të kuotave part-time, për studimet me korrespondencë apo në distancë, Ministria e Arsimit zbardhi dje vendimin për datat e regjistrimeve, shpalljen e fituesve dhe dokumentet që duhet të paraqesin maturantët për aplikim. Po ashtu mund të aplikojnë në sistemin part-time, edhe ata që e kanë përfunduar një fakultet dhe dëshirojnë të vazhdojnë një të dytë.

"Institucionet publike të arsimit të lartë, të shpallin menjëherë hapjen e procedurës së pranimit të kërkesave për kandidatët që dëshirojnë të vijojnë programet e studimit të ciklit të parë me kohë të pjesshme dhe edukimin në distancë", thuhet në udhëzimin e Ministrisë së Arsimit dërguar dje në të gjitha universitetet në vend. Institucionet publike të Arsimit të Lartë, duke filluar nga sot duhet të shpallin në vende të dukshme datat dhe oraret e veprimtarive të aplikimit dhe të regjistrimit, listën e dokumenteve të nevojshme për regjistrim.

Aplikimi

Aplikimi i kandidatëve në programet e studimit me kohë të pjesshme dhe edukimin në distancë, të zhvillohet nga data 2 dhjetor në datën tetë dhjetor prej orës 8:00 deri në orën 16:00 pranë sekretarive mësimore. Pranë njësive kryesore përgjegjëse, institucioneve publike të arsimit të lartë, për çdo program studimi të ciklit të parë me kohë të pjesshme dhe edukimin në distancë, dhe për programe të dyta studimi, në bazë të udhëzimit duhet të ngrihen komisione, me anëtarë të personelit akademik, për përzgjedhjen e kandidatëve fitues për këto programe, në përputhje me kuotat e përcaktuara.

Institucionet publike të arsimit të lartë, duhet të shpallin dhe të afishojnë listat e kandidatëve fitues në vende të dukshme, në mjediset e njësive kryesore përkatëse, brenda orës 12.00 të datës 14 dhjetor të ndarë sipas programeve të studimit përkatës.

Regjistrimi i kandidatëve në programet e studimit me kohë të pjesshme dhe edukimin në distancë ku janë shpallur fitues, të zhvillohet nga data 14 dhjetor deri në datën 18 dhjetor, prej orës 8.00 deri në orën 16.00, pranë sekretarive mësimore.

Regjistrimi

Regjistrimi i kandidatëve fitues do të bëhet vetëm me dëftesën e pjekurisë origjinale të shkollës së mesme. Dokumentet e aplikantëve jofitues duhet t‘u kthehen personave kundrejt kërkesës. Pas mbylljes së procesit të regjistrimit, institucionet publike të arsimit të lartë do të dorëzojnë në Ministrinë e Arsimit, listat përfundimtare të kandidatëve fitues të regjistruar në datën 22 dhjetor. Kuotat e pranimeve në studimet e ciklit të parë me kohë të pjesshme dhe edukimin në distancë, të cilat do të mbeten të parealizuara, rishpërndahen sipas institucioneve publike të arsimit të lartë dhe programeve të ndryshme të studimit nga Ministria e Arsimit.

Regjistrimi i kandidatëve për transferim studimesh kryhet pas shpërndarjes nga Ministria e Arsimit. Lorina Mixha

Dokumentet për regjistrim

Fotokopje të noterizuar të dëftesës së pjekurisë së shkollës së mesme, ose fotokopje të noterizuar të ndonjë diplome tjetër studimi të fituar jashtë vendit, të vlerësuar të barasvlershme me të

Dokument identifikimi (certifikatë lindje me fotografi, kartë identiteti ose pasaportë). Në dosje të mbahet certifikata e lindjes me fotografi, fotokopja e kartës së identitetit ose e pasaportës

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›