Rryshfet 100 mijë euro, për truallin
Trazhgim SokolajDy persona akuzohen se kanë mashtruar një biznesmen ndërtimi nga Elbasani duke i marrë 100 mijë euro me premtime të rreme për dhënien e një trualli në pronësi të Ministrisë së Mbrojtjes. Aleksandër Jorgoni dhe Aletin Dervishi, janë dy të pandehurit e dosjes penale nr.906, të Prokurorisë së Tiranës, me akuzën e mashtrimit të kryer në bashkëpunim. Ata janë arrestuar më 19 nëntor 2009, pas denoncimit të biznesmenit në polici ndërsa së fundi janë dërguar në gjyq. Ndërtuesi pas shumë kohësh kishte kuptuar mashtrimin për shkak se dy personat që i kishin marrë 100 mijë euro, i kishin përmendur “një mik” në Ministrinë e Mbrojtjes, i cili do t’i ndihmonte për t’i dhënë truall ndërtimi sipërmarrësit me iniciale E.Z. Por ky i fundit, kohë pasi ka dhënë paratë, ka mësuar se “miku” i dy të dyshuarve, nuk ndodhej më në Ministrinë e Mbrojtjes, pasi ishte shkarkuar menjëherë pas tragjedisë së Gërdecit. Sapo ka kuptuar rrengun, biznesmeni është paraqitur në polici dhe ka denoncuar mashtrimin duke dorëzuar edhe provat që tregonin dorëzimin e parave, plot 100 mijë euro për të marrë sheshin e ndërtimit nga Forcat e Armatosura. Mashtrimi Historia ka nisur si një korrupsion dhe ka përfunduar siç duket në një vjedhje të pastër me anë të mashtrimit. Dy personat e dyshuar, Alekdaner Jorgoni dhe Aletin Dervishi, sipas Prokurorisë, i kanë kërkuar biznesmenit një shumë prej 100 mijë euro, për të siguruar një shesh ndërtimi, në një truall që ishte në administrim të Ministrisë së Mbrojtjes. Shuma është kërkuar për t’i dhënë para edhe zyrtarit të Ministrisë, që të mundësonte tjetërsimin e truallit dhe kalimin e tij në pronësi e përdorim për ndërtimin e objekteve të banimit. Personi i përmendur nga dy të dyshuarit, si mik i tyre në Ministrinë e Mbrojtjes, u shkarkua nga detyra menjëherë pas tragjedisë së Gërdecit, në një valë masash administrative që ky dikaster ndërmori pas shpërthimit në fabrikën e çmontimit të armëve. Ndërkohë, biznesmeni nga Elbasani kishte dhënë paratë pas shkarkimit të këtij zyrtari, pa qenë në dijeni se ai ishte larguar nga puna. Pasi ka mësuar këtë fakt, sipërmarrësi ka kërkuar kthimin e parave por kjo nuk ka ndodhur. Menjëherë ai është drejtuar në polici ndërsa në nëntor 2009, Sektori i Antikrimit Ekonomiko-Financiar arrestoi dy të dyshuarit. Ata janë dërguar të pandehur në gjykatë për akuzën e “mashtrimit në bashkëpunim”. Prokuroria tha se ka kryer veprime hetimore për dokumentimin e akuzës, duke arritur në përfundimin se dy të dyshuarit i kanë marrë paratë. Ata i kishin thënë biznesmenit se kishin një mikun e tyre në Ministrinë e Mbrojtjes, i cili mund t’i ndihmonte për sigurimin e një trualli për ndërtim. Për të “mbaruar punën” dy të pandehurit kanë kërkuar 100 mijë euro të paguara tashmë nga i dëmtuari, i cili vetëm pasi ka kuptuar mashtrimin, është paraqitur në polici për denoncim.