E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tiranë, vidhet natën dyqani në qendër

 TIRANE- Një dyqan në qendër të kryeqytetit ka rënë pre e grabitësve gjatë natës duke gdhirë dita e djeshme. Persona ende të panjohur për Policinë e Tiranës kanë mundur që të futen në ambientet e një dyqani, kancelarie, nga ku kanë marrë 100 mijë lekë dhe disa objekte në vitrina. Burime nga policia thanë se ngjarja ka ndodhur pas mesnatës në rrugën “Kajo Karafili”, mbrapa Muzeut Kombëtar dhe ka qenë pronari i dyqanit ai që ka denoncuar grabitjen në mëngjes kur ka shkuar për të hapur aktivitetin e tij. Mëngjesin e djeshëm ai ka parë që i është thyer dera e jashtme dhe kur ka kontrolluar në brendësi ka vënë re që i mungonin 100 mijë lekë që i kishte lënë në arkën e llogarisë së ditës së mëparshme, si dhe një sasi objektesh kancelarie që ndodheshin në vitrinë. Menjëherë ai ka sinjalizuar në Sallën Operative dhe një grup ekspertësh nga Seksioni i Vjedhjeve Kundër Biznesit kanë shkuar në vendin e ngjarjes, për të këqyrur vendin e ngjarjes dhe për të marrë gjurmët e mundshme. Burimet sqaruan se autorët e ngjarjes ende nuk janë identifikuar, por po punohet për zbulimin dhe arrestimin e tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›