E Diel, 1 Nëntor 2026

Vrasësi i dhëndrit te Xhamllëku: S‘mbaj mend asgjë, kam qenë i dehur

 TIRANE – Albert Dashi, i akuzuar për vrasjen e Armando Hasanit, bashkëshortit të mbesës së tij tek Xhamllëku, tha dje në gjykatë se nuk mbante mend ç’kishte ndodhur natën e ngjarjes, pasi ishte në gjendje të dehur. Ndërkohë gjykata e Tiranës vendosi për të masën e sigurisë “arrest me burg” pa afat deri në përfundim të hetimeve. I paraqitur para togave të zeza të gjykatës së kryeqytetit për caktimin e masës së sigurisë, i pandehuri Dashi ka thënë dje vetëm fjalët “nuk mbaj mend, kam qenë i dehur” dhe ka lënë mbrojtësin e tij të flasë duke dhënë shpjegime për ngjarjen. Referuar thënieve të avokatit, burime pranë seancës, sqaruan se natën e ngjarjes Albert Dashi ka qenë duke konsumuar pije alkoolike së bashku me viktimën dhe një person të tretë. Në vazhdim ata janë konfliktuar me njëri tjetrin me fjalë, grindje që është pasuar edhe me konfrontime fizike. Sipas avokatit, klienti i tij ka marrë më pas armën dhe ka qëlluar në ajër për ta trembur viktimën. “Por për shkak të gjendjes së dehur nuk ka kontrolluar veten dhe ka qëlluar mbi të”, mësohet të jetë shprehur avokati. Por Gjykata, pasi është njohur me pretendimet e palëve, ka pranuar kërkesën e Prokurorisë për lënien në burg të të pandehurit për akuzën e “vrasjes me dashje” dhe të “armëmbajtjes pa leje”. Albert Dashi, i njohur edhe me nofkën “Bert qorri” u arrestua rreth orës 22:30 të së dielës, pak orë pasi kishte qëlluar për vdekje Armando Hasanin në zonën e “Xhamllëkut” në Tiranë. Si motiv të ngjarjes policia cilësoi faktin që Dashi nuk ishte dakord mbi lidhjen mes viktimës dhe mbesës së tij. Pak kohë para ngjarjes mbesa e Dashit, Fatjona Dashi ishte larguar nga shtëpia dhe po jetonte me familjen e viktimës Hasani. Sipas policisë, Hasani kishte disa kohë që e kishte shprehur mospëlqimin e tij për lidhjen dhe kërkonte ndarjen e tyre. Në një intervistë për “Panorama”, një ditë pas ngjarjes, gruaja e Armando Hasanit fajësoi nënën e saj si shkaktare. “Nëna ime është shkaktarja e gjithë kësaj që ndodhi dhe jo Albert Dashi. Ajo e ka lajmëruar autorin të kthehej nga Greqia për të vrarë bashkëshortin tim, në një kohë që unë kam deklaruar edhe në polici një vit me parë, se po largohem me dëshirë nga shtëpia për të jetuar me të dhe se nuk më ka rrëmbyer”, u shpreh e veja e Armando Hasanit.           ar.ba

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›