Krujë, gjendet 25-vjeçari, një javë i vdekur
KRUJE – Dy persona kanë humbur jetën dje në Kurbin, si pasojë e dy ngjarjeve të ndryshme. Një 25-vjeçar është gjetur i vdekur në banesë, ndërsa një 57-vjeçar ka rënë nga çatia e shtëpisë duke gjetur vdekjen në spital. Sipas policisë, i riu Dritan Balloku, nga fshati Vinjol i Kurbinit, është gjetur i vdekur në banesë në fshatin Miljan, komuna Thumanë e Krujës, ku jetonte me qira prej një jave. Sipas policisë, viktima po merrej me riparimin e banesës së marrë me qira në mënyrë që për pak ditë të vendoste edhe familjen aty, gruan bashkë me fëmijët. I riu kishte disa ditë që kishte humbur komunikimin me familjarët, të cilët dje shkuan për ta kërkuar dhe e gjetën të vdekur. Policia dyshon se shkak i ngjarjes është lënia e bombolës së gazit hapur, çka i ka shkaktuar viktimës asfiksinë. Ndërkohë po dje policia është lajmëruar për një të vdekur të dytë. Agim Agai, 57 vjeç, nga Kruja, sipas policisë gjeti vdekjen, pasi ishte duke punuar në çatinë e banesës. Ai ka rënë nga disa metra lartësi duke gjetur vdekjen e menjëhershme. r.n