Bulqizë, 15 familje pa strehë prej shtatë muajsh
BULQIZË - Rreth 15 familje në qytetin e Bulqizës vuajnë mungesën e strehës, por edhe të bukës. Janë 56 banorë që ankohen se prej më shumë se gjashtë muajsh nuk kanë as kushtet minimale për të jetuar, por ndodhen mes skamjes. Në janar të këtij viti ato u nxorën forcërisht nga shtëpitë ku banonin, pasi policia konstatoi se një pjesë e murit të katit të parë ishte shembur. Fillimisht bashkia mendoi t'i sistemonte këto familje në çerdhet dhe kopshtet e qytetit, por drejtuesit e xhamisë afruan mjediset e konviktit për familjarët që mbetën pa shtëpi. Kryetari i bashkisë Roland Keta dhe kryemyftiu i Bulqizës ranë dakord që banorët të strehoheshin në xhami për një muaj. "Është e kotë të flasim pasi askush nuk ka ardhur t'na shohë apo ndihmojë. Qysh në janar jemi strehuar në dhomat e xhamisë. Aty gatuajmë, aty flemë, aty hamë, aty presim mikun. Disa nga familjet kanë nga 2-3 çifte. Për të 15 familjet ka vetëm një banjo. Në janar na sollën disa ndihma, madje dhe të skaduara. Ndërkohë prej atëherë, askush nuk është i interesuar për fatin tonë", u shpreh Shazimete Dani, njëra nga gratë e sistemuara në xhami. Kompleksi që premtuan për ta kthyer në apartamente strehimi për këto familje ka mbetur siç ishte. Banorët paralajmërojnë se edhe pak muaj dhe vjen sërish dimri, ndërsa ata janë në pikë të hallit. Burrat e këtyre familjeve rreken të gjejnë ndonjë punë private, por e kanë të pamundur, ndërkohë thonë se nuk mund të emigrojnë duke menduar se në ç'gjendje janë fëmijët e tyre. Dy-tre ditë pas shembjes së pallatit Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave deklaroi në takimin me familjarët se janë veçuar nga buxheti i shtetit 22 milionë lekë për investime në mënyrë që ata të strehohen, por kanë kaluar afro 7 muaj dhe ky premtim nuk është mbajtur. h.p