PDI: Kolegji Zgjedhor ra në presionin e PS
Kryetari i Partisë për Drejtësi dhe Integrim, Tahir Muhedini, akuzoi dje kreun e Partisë Socialiste, Edi Rama dhe Kolegjin Zgjedhor për deputetin e 9 që mori kjo forcë në Fier. Gjatë një konference për shtyp, Muhedini tha se kolegji ra pre e presionit të PS-së, njësoj si në vitin 2007. “Këtë grabitje Edi Rama dhe Partia Socialiste e kryen me ndihmën e Kolegjit Zgjedhor. Kolegji Zgjedhor, ashtu si në zgjedhjet lokale të vitit 2007, u gjunjëzua nga presioni politik i PS dhe deklaratat e kryetarit të saj. Këto zgjedhje treguan synimet e Edi Ramës për të grabitur mandatet e partive të vogla për t’i asgjësuar ato”, tha Muhedini. “E siguroj se me PDI i ka ngelur shara në gozhde, nuk do ndalemi së denoncuari grabitjen e votave, se ai nuk do ta gëzojë mandatin e grabitur të PDI, dhe se fitorja e mandatit të nëntë në Fier ka qenë për të si fitorja e Pirros”, theksoi kreu i PDI.