Totali(tari)sht
Edmond Tupja
Në parathënien e variantit frëngjisht (1997) të “Secondo diario minimo”, Umberto Eco-ja pohon se ...paroditë e tij të shkurtra që përmban ky libër “mund të duken zbavitëse ngaqë janë shkruar thuajse të tëra nën shtysën e indinjatës. Por a mund të indinjohesh duke buzëqeshur? – pyet ai Jo, – gjegjet aty për aty – kur indinjata lind për shkak të ligësisë e të tmerrit, po, kur ajo lind për shkak të budallallëkut”. Në njërën prej parodive të tij, me titullin “Si të mos përgjigjemi me fjalën absolutisht”, Eco-ja qesëndis ata që e përdorin me vend e pa vend këtë ndajfolje të kthyer në stereotip gjuhësor, shpesh qesharak deri në bezdisje.
Përdorimi i tepruar deri në mani i kësaj ndajfoljeje të huazuar (nga anglishtja absolutely, frëngjishtja absolument e italishtja assolutamente) edhe tek ne fill pas shembjes së regjimit hoxhist (ndërkohë që nuk mungojnë shprehjet e barasvlershme shqipe si patjetër, pa diskutim dhe ta pret mendja), të binte në sy sidomos në gojën e politikanëve të të dy krahëve të spektrit politik shqiptar aq sa, jo rrallëherë, dukej sikur buronte nga dëshira e tyre e thellë, e vetëdijshme apo e pavetëdijshme pak rëndësi ka, për të kapur majat e pushtetit, d.m.th. diçka të ngjashme me monarkinë absolute. Pse jo? Babëzia për pushtet, kudo e kurdoherë, ka qenë, është e do të jetë e pranishme për aq kohë sa do të ekzistojë raca njerëzore; këtë të vërtetë të hidhur e dëshmon edhe lufta që bëhet sot në vendin tonë për të marrë pushtetin e, sidomos, për ta rimarrë atë. Ilustrimi më i mirë i kësaj dukurie është modestisht edhe qëndrimi i së majtës socialkomuniste të Edi Ramës, që është shprehur botërisht e gatshme për ta bërë këtë “me çdo mjet e me çdo çmim”. Absolutisht! – do të thoshte shumëkush deri para disa vitesh.
Sapo shkrova “para disa vitesh”, sepse sot, në gojën e politikanëve tanë, të djathtë e të majtë, në pozitë apo në opozitë qofshin, po lulëzon një stereotip i ri: ndajfolja “totalisht”, ndonëse gjuha shqipe ka së paku dy ndajfolje mirëfilli të sajat që kanë të njëjtin kuptim, “plotësisht” dhe “krejtësisht”. Fillimisht, pandehja se kjo dukuri ishte pasojë e snobizmit, e manisë për të përdorur fjalë të huaja, sidomos kur nuk njohim asnjë nga këto gjuhë, kompleks inferioriteti ky që vihet rëndom re te politikanët tanë. Pastaj, mendimi më fshiku trurin se mos vallë përdorimi i tepruar i ndajfoljes “totalisht” (nga anglishtja totally, frëngjishtja totalement dhe italishtja totalmente) kishte të bënte me ndonjë impuls të nënvetëdijes së politikanëve tanë që lidhej me pushtetin; mandej, një mekanizëm thjesht gjuhësor, si fjalëformimi, më erdhi bujarisht në ndihmë dhe Eureka! ose, siç thuhet sot, Bingo! Ndajfolja “totalisht” ka për zanafillë mbiemrin “total”, nga i cili rrjedhin edhe fjalë të tjera si “totalitar”, “totalitarist” e “totalitarizëm”, çka më shtyn të pohoj, me të drejtë ose pothuajse me të drejtë, se, në gojën e politikanëve tanë të babëzitur për pushtet, fjala “totalisht”, e shqiptuar edhe në kontekstin më asnjanës, fsheh pikërisht babëzinë e sapopërmendur, ëndrrën e tyre për një pushtet sa më pak të kufizuar, sa më shumë të përqendruar në duart e nën këmbët e tyre. Jam gati i sigurt që një ditë të bukur ndonjë pushtetar, pavarësisht ngjyrës së fanellës me të cilën ka dalë në fushën e stadiumit të politikës shqiptare, do ta tradhtojë veten duke thënë me zë të lartë jo “totalisht”, por “totalitarisht”. (“Totalitarisht”! Ç’fjalë e përbindshme që, në zemër të saj, përmban fjalën “litar”! Ç’është e vërteta, ka diktatorë që përfundojnë në litar ose, pasi vdesin të gjithëpushtetshëm, monumentet e tyre shemben e tërhiqen rrugëve po me litar).
Me një fjalë, – mund të më pyesë lexuesi i vëmendshëm dhe i paanshëm i rubrikës sime – ju i këshilloni politikanët tanë të mos e përdorin kurrë ndajfoljen “totalisht”? Përgjigjja ime është e prerë: “Jo vetëm politikanët, por gjithë bashkëkombësit e mi!... Që të mos duken qesharakë... Që të mendohen mirë para se t’i futen karrierës politike... Absolutisht!”. Po, po, i dashur lexues, absolutisht! Siç nuk do të thoshte Umberto Eco-ja. Sepse brenda e rrotull meje nuk shoh asnjë gjurmë dëshire për pushtet, as më të voglin tundim për t’u bërë një ditë monark absolut!