“Cana një blerje fenomenale”
Jetmir Halilaj
Trajneri i Sunderlandit, Steve Bruce, është shprehur tepër i kënaqur që ka arritur të transferojë mesfushorin kosovar Lorik Cana. Mesfushori i Shqipërisë ka kompletuar transferimin e tij nga Olimpik Marsejën. Cana 25 vjeç, të shtunën, ka firmosur kontratën katërvjeçare që e ka bërë atë lojtarin më të paguar në ekipin e Premier Ligës. Sandërlandi pagoi gjashtë milionë euro dëmshpërblim për të. Trajneri Stiv Brus beson se Cana me përvojën e tij do të ndihmojë shumë skuadrën në stinorin edhe te të tjerët. “Kemi negociuar këto dhjetë ditët e fundit dhe jam i lumtur që më në fund është arritur marrëveshja. Ai ka qenë kapiten i Olimpik Marsejës, një prej gjigantëve të futbollit evropian. Blerja e kapitenit të kësaj skuadre është një arritje fenomenale për ne”, ka thënë Bruce për faqen zyrtare të Sandërlendit. Cana do të jetë kosovari i dytë që do të luajë në Premier Ligën e Anglisë. Në Uest Ham luan edhe mesfushori mitrovicas Valon Behrami. “Jam i lumtur që e kemi transferuar atë dhe ai do të bëjë mesfushën tonë dukshëm më të fortë. Është një lider i vërtetë. E ka treguar veten për këtë që po them. Kam pasur rastin ta shoh atë duke luajtur disa herë, veçanërisht në ndeshjet kundër Liverpulit në Ligën e Kampionëve edicionin që shkoi. Në dy ballafaqimet ai ka qenë fenomenal. Ai do të jetë transferim i madh për ne, për këtë jam shumë i sigurt”, ka vazhduar Brus. Gazeta e njohur angleze “Daily Mirror” ka njoftuar të shtunën se Cana do të jetë futbollisti më i paguar në Sanderlend. Paga e tij javore pritet të jetë 75 mijë euro. Ndërkohë spekulime mediatike ka pasur edhe nga gazeta të tjera dhe uebsajte të internetit si angleze dhe francezer lidhur me rrogën dhe koston e transferimit të Canës te Sanderlend. Kështu për transfermarkt.de anglezët nuk kanë paguar më shumë se 5.8 milionë euro, ndërsa për mediat franceze kartoni i mesfushorit të kombëtares shqiptare ka shkuar deri në 10 milionë euro, ndërsa rroga e tij do të jetë rreth 60 mijë stërlina (90 mijë euro) në javë.
Ish-mesfushori i Marsejës këtë verë ishte kërkuar nga shumë skuadra të famshme angleze përfshirë këtu Liverpulin, Arsenalin e Evertonin. Po ashtu për shërbimet e tij ishin interesuar edhe dy gjigantët e Bundesligës gjermane Hamburg e Volsburg. Për dallim nga Marseja me të cilën skuadër lojtari merrte vazhdimisht pjesë në Ligën e Kampionëve, me Sandërlendin pritet të luftojë për mbijetesë në një nga ligat më të forta të botës.
25 mln euro për lojtarët shqiptarë
Që një futbollist ka qenë ose është në rangun e më të mirëve mund të shihet fare lehtë edhe nga kërkesat që kanë shkuar në drejtim të tij gjatë merkatos. Dhe natyrisht nëse Kristiano Ronaldo konsiderohet si futbollisti më i mirë i viteve të fundit, e përforcon edhe fakti se për të Real Madrid pagoi plot 94 milionë euro gjatë transferimit të tij nga Mançester Junajtid. Duke qëndruar në këtë linjë gazeta “Panorama” boton sot listën e lojtarëve shqiptarë për të cilët është paguar më shumë gjatë lëvizjeve të tyre nga njëra skuadër tek tjetra. Specialja që u servirim sot lexuesve ka pasur si burim informacioni uebsajtin e transfermakt i cili merret ekskluzivisht me transferimet e lojtarëve në gjithë botën. Duhet theksuar se në të shumtën e rasteve futbollistët shqiptarë ka kaluar nga njëri klub tek tjetri me parametër zero ashtu sikundër rastet më të freskta, Klodian Duro, Semiran Çela, Gilman Lika, etj të cilët kanë firmosur kontratat e reja vetëm disa javë më parë. Aktualisht Lorik Cana është futbollisti shqiptar për të cilin klubet e huaja kanë paguar më shumë gjatë merkatos botërore të futbollistëve.
Vlerat e transferimeve
Lorik Cana (Sunderland)
05-06 nga PSG te Marseja për 4 milionë euro
09-10 nga Marseja te Sanderlend për 6 milionë euro
Erjon Bogdani (Kievo, Itali)
2006-2007 nga Siena te Kievo për 4.5 milionë euro
2005-2006 nga Rexhina te Siena për 1.6 milionë euro
Elvin Beqiri (Vllaznia)
2005-2006 nga Metallurg Donetsk (Ukrainë) te Maccabi Haifa (Izrael) për 1.5 milionë euro
Besnik Hasi (Zv/trajner, Anderleht)
00-01 nga Genk te Anderleht (Belgjikë) për 400 mijë euro
98-99 nga 1860 Mynshen (Gjermani) te Genk për 425 mijë euro
97-98 nga KRC Genk te 1860 Mynshen (Gjermani) për 400 mijë euro
Edgar Çani (Palermo)
2007-2008 nga Pescara (Serie C) te Palermo (Serie A, Itali) për 1.2 milionë euro
Edvin Murati (Ka lënë futbollin)
2002-2003 nga Lilë (Francë) te Iraklis (Greqi) për 1.2 mlnë euro
Jahmir Hyka (Mainz 05)
2005-2006 nga Dinamo tek Rosenborg (Norvegji) për 250 mijë euro
2006-2007 nga Rosenborg tek Olimpiakos (Greqi) për 175 mijë euro
2008-2011 nga Olimpiakos tek Mainz (Gjermani) për 300 mijë euro
Igli Tare (Ka lënë futbollin)
2001-2002 nga Kaiserslautern (Gjermani) tek Breshia (Itali) për 550 mijë euro
Besart Berisha (Burnli, Angli)
2007-2008 nga Hamburgu (Gjermani) te Burnli për 500 mijë euro
Mërgim Mavraj (VfL Bokum)
2007-2008 nga Darmstadt te VfL Bokum për 350 mijë euro
Ervin Skela (Pa skuadër)
2001-2002 nga Valdhof Manheim te Frankfurt për 200 mijë euro
Altin Haxhi (APOEL Nikosia)
2000-2001 nga Liteks (Bullgari) te Iraklis (Greqi) për 150 mijë euro
Geri Çipi (Ka lënë futbollin)
2003-2004 nga KAA Gent (Belgjikë) te Frankfurt për 125 mijë euro
Debatik Curri (Vorskla Poltava)
2006-2007 nga Prishtina te Vorskla (Ukrainë) për 100 mijë euro
Enco Malindi (Spartak Varna)
2007-2008 nga Partizani te Slavia Sofje për 80 mijë euro
Renato Arapi (Silkeborg, Danimarkë)
2007-2008 nga Besa tek Silkeborg (Danimarkë) për 65 mijë euro
Ahmed Januzi (Vorskla Poltava)
2007-2008 nga FK Prishtina tek Vorskla (Ukrainë) për 50 mijë euro
Klodian Semina (Vllaznia)
2007-2008 nga Vllaznia te Belasiza (Bullgari) për 10 mijë euro
Ansi Agolli (Krivbas)
2009-2010 nga SK Tirana te Krivbas për 40 mijë euro
Emiliano Vila (NK Lokomotiva Zagreb)
2009-2010 nga Teuta Durres tek Dinamo Zagreb për 300 mijë euro
Brian Filipi (US Palermo)
Janar 2009 nga Ravena (C1, Itali) te Palermo për 150 mijë euro