Zjarr në Vlorë, digjet magazina e shumicës
VLORE - Një zjarr i fuqishëm përfshiu dje magazinat e tregut të shumicës, që ndodhen në periferi të qytetit të Vlorës. Ngjarja alarmoi policinë e zjarrfikësit, të cilët luftuan disa orë për të lokalizuar situatën. Në ndihmë të zjarrfikësve të Vlorës mbërritën edhe ato të Fierit dhe Lushnjës, por situata u arrit të vihej nën kontroll vetëm pas më shumë se dy orësh, ku 15 magazina ishin shkrumbuar plotësisht. Tregtarët me qëllim për të mbrojtur mallin e tyre rrezikuan edhe jetën. Një tregtar dhe një punonjës i zjarrfikëseve u lënduan në tentativë për të shuar flakët. Ata përfunduan në spitalin e Vlorës, por sipas mjekëve, plagët ishin të lehta dhe pasi morën ndihmën e parë ata u nisën në banesat e tyre. Zjarri është parë fillimisht në një nga magazinat në qendër të këtij tregu që ndodhet në afërsi të Nartës. Flakët kanë përparuar shumë shpejt duke përfshirë thuajse të gjithë ambientet e magazinës qendrore në këtë treg, si dhe një nga mjetet furgonë që shiste. Mbas ndërhyrjes së repartit të zjarrfikëseve, në disa prej ambienteve të njësive tregtare ka pasur dhe shpërthime nga bombolat e gazit që ishin për t'u shitur. Pikërisht në këtë moment janë lënduar edhe tregtari dhe punonjësi i zjarrfikëses.
Tregtarët që nuk iu ishte djegur malli kanë nxituar të shpëtojnë aq sa të mundin. Sipas policisë, dëmi i shkaktuar në këto magazina llogaritet në mijëra euro. Dëmi më i madh i është shkaktuar një tregtari, i cili për blerjen e mallit kishte marrë edhe kredi. Në pamjen e parë rezultojnë të djegura rreth 15 magazina, por 20 të tjera janë dëmtuar pjesërisht. Sipas ekspertëve të policisë dhe të repartit të shuarjes, zjarri është shkaktuar nga shkëndijat e saldimit, që po kryente një saldator në një nga ambientet e një njësisë tregtare. Ai nuk kishte marrë masa për të mos shkaktuar zjarr, ndaj u ndalua nga policia si shkaktar i kësaj ngjarjeje. Zjarri i djeshëm shkaktoi panik edhe tek banorët që jetojnë përreth. Ndërkohë që shtëllungat e tymit kanë mbuluar gjithë zonën duke krijuar edhe ndotje. q.b