Vrasja e "Dodës" pranga dy vrasësve me pagesë
ELBASAN/ ALDO KOZARIA
Arrestohen autorët e dyshuar të ekzekutimit të ish-agjentit të drogës në Elbasan, Roland Rexhepi. Grupi i hetimit identifikoi ditën e djeshme si autorë të vrasjes shtetasit Armand Llakaj, 33 vjeç nga Elbasani dhe Arben Jace, 28 vjeç, banues në Tiranë. Operacioni i bluve finalizoi duke arrestuar Llakajn në banesën e tij në Elbasan dhe bashkëpunëtorin e tij në Tiranë. Ata u akuzuan si autorë të ngjarjes së ndodhur katër ditë më parë në afërsi të Universitetit të Elbasanit, ku u vra me 16 plumba Roland Rexhepi, i njohur me nofkën "Doda". 42-vjeçari kishte punuar për një periudhë të gjatë në strukturat e policisë së Elbasanit si agjent i antidrogës, ndërsa në periudhën 1998-2001 ai ka qenë truproja i kryepolicit të Elbasanit Edmond Koseni.
Burime nga prokuroria bënë të ditur mbrëmë se janë duke punuar për të kryer arrestimin e të tjerë personave të përfshirë në këtë ngjarje. Të njëjtat burime shtuan se ka dyshime që vrasja të jetë kryer për motive hakmarrjeje. Por për efekt hetimi nuk bëhen të ditura detaje të tjera. Gjithsesi, sipas prokurorisë, dyshimi për hakmarrjen nuk ka lidhje me detyrën e mëparshme të viktimës, por janë duke hetuar në disa pista të tjera. Dyshohet që autorët të jenë vrasës me pagesë, por gjithsesi kjo nuk konfirmohet zyrtarisht derisa të zbardhen edhe pjesë të tjera të hetimit, apo të bien në gjurmët e autorëve, të cilët kanë dashur të eliminojnë 42-vjeçarin Rexhepi. Autori i dyshuar si ekzekutor i ish- agjentit të policisë mësohet se ka precedentë të mëparshëm penalë. Ai ka qenë i dënuar për veprën penale të vrasjes. Në sajë të shenjave të lëna në vendin e ngjarjes dhe në furgonin e braktisur prej të arrestuarve, blutë kanë rënë në gjurmët e 33- vjeçarit, i cili njihej edhe si përdorues i drogës. Mësohet se në furgon janë gjetur tre shiringa që përdoreshin për injektimin e drogës. Kreu i policisë së Elbasanit, Hajdar Rexhepi u shpreh mbrëmë se ekzekutimi i Rexhepit është kryer për shkaqe që nuk kanë të bëjnë me detyrën e tij si ish-punonjës i policisë për 16 vite me radhë, por për shkaqe të tjera, të cilat do të dalin gjatë hetimeve që po kryhen. Mësohet se si prova materiale për të ngritur akuzën ndaj shtetasve të arrestuar kanë qenë gjurmët e sekuestruara në vendin e ngjarjes, të cilat pasi janë dërguar në laborator dhe janë krahasuar kanë rezultuar se janë të autorit të arrestuar dje, Armand Llakaj si dhe të bashkëpunëtorit të tij Arben Jace. Policia nuk bën të ditur deponimet e të prangosurve, pasi sipas tyre çdo detaj i publikuar tashmë dekonspiron vazhdimësinë e hetimeve dhe prangosjet e personave të tjerë të interesuar për vrasjen e Roland Rexhepit. Policia e Elbasanit gjeti dy net më parë motorin me të cilin ishin larguar autorët, e pak metra larg mjetit lëvizës edhe armën e krimit tip kallashnikov model 56. Ato ishin hedhur në një ferrë, vetëm 200 metra larg vendit të ngjarjes. Mësohet se Armand Llakaj është shoqëruar që në orët e drekës dje nga ana e shërbimeve të policisë pas një operacioni të mirorganizuar. Ndërsa Arben Jace është prangosur në kryeqytet në afërsi të banesës së tij gjatë orëve të pasdites. Arrestimi i tyre është firmosur pasi janë marrë në pyetje për disa orë nga grupi i hetimit në lidhje me vrasjen.