Zani Caushi nga qelia:Votova hapur PD, jo për Berishën, por për drejtorin e burgut
Fatos Mahmutaj
Sapo kalojmë portën hyrëse të burgut të Burrelit, mes bardhësisë së gëlqeres në muret e betonta dhe fushës prej çimentoje të bardhë, i pari person që dallohet është 39-vjeçari vlonjat, Myrteza Caushi. Ora është 11:00, ndërsa Zani, siç njihet rëndom, po ecte nëpër fushën kryesore të ajrimit të burgut në shoqërinë e katër të dënuarve të tjerë. Mban veshur një palë pantallona të shkurtra trikotazhi me ngjyrë të errët dhe shapka meshini me rripa të hollë. Pasi u përshëndetëm për pak minuta me të, para se të vazhdojmë në pjesën e brendshme të burgut, i kërkojmë Zanit që të mos largohej shumë, pasi në dalje do i merrnim një intervistë për “Panorama”. Por aty për aty, vlonjati shakaxhi merr qëndrim serioz dhe reagon prerazi: “Unë intervistë, po deshët tani, se pastaj nuk do jem këtu. Do dal të bëj një xhiro nga qyteti”. “Xhiro në qytet, ç’po thua, je i burgosur apo turist në Burrel!”, e pyesim ne të habitur. Ndërsa marrim si përgjigje me theksin vlonjat: “Ha ha ha, (qesh). Po ç’xhiro mavria thoni ju! Po këtu më keni more! Po kush më lë mua të dal. Dhe për më tepër, ku do shkoj unë mor të uruar!?” Vazhdojmë në sektorin “B” të burgut, ndërsa pak minuta më vonë dalim sërish dhe kërkojmë Caushin. Me mbiemër e thërritnin bashkëvuajtësit, gardianët dhe administrata e institucionit. Zani vjen i veshur po me të njëjtat pantallona dhe shapka. Në trupin e tij të nxirë nga dielli dallohen mirë shenjat e shumta të plagëve të “betejave” të ’97-ës. Dallohen djegie, çarje që shkojnë deri në 20 centimetër dhe mjaft shenja plumbash, të cilat tashmë janë mbyllur. Duart e Zanit ishin lyer me gëlqere, ndërsa pika të shumta gëlqereje kishin rënë mbi veshje. “Të paskan futur në punë për të lyer qelinë”, e ngacmojmë ish të fortin e Vlorës, ndërsa marrim nga ai pohimin. “Po, është e vërtetë. Atë punë po bëja. Çdo dy muaj e lyej qelinë me gëlqere. E kam merak pastërtinë. Gëlqerja është dezinfektuese dhe higjienike, ndaj e përdor”. Aty në fushën e ajrimit, i marrim një intervistë ish-kapos së Vlorës në vitin 1997.
Gjatë vitit 1997 emri juaj do të përmendej gjithmonë së bashku me Partinë Socialiste. Ishte kohë rrëmujash dhe PS-ja ndoshta kishte nevojë për një njeri të fortë, aq më tepër në një qytet si Vlora. Por tashmë 12 vjet më vonë vota juaj shkon djathtas, dhe për më tepër hapur. Përse ky ndryshim?
Unë nuk merrem me politikë dhe për pasojë nuk më intereson kush drejton PD-në apo PS-në. Vota ime ishte djathtas, pasi ia kisha premtuar miqve të mi që drejtojnë këtë burg. Janë pikërisht këta persona që më respektojnë në maksimum, respektojnë të drejtat e mia dhe të burgosurve të tjerë. Kështu që mendova se PD-ja me këta njerëz meriton të qeverisë edhe këtë mandat katërvjeçar. Duke pasur konsideratë për administratën dhe drejtorin e këtij burgu, ia dhashë hapur votën time PD-së. Por e theksoj se vota ime ishte vetëm për administratën e burgut. Jo vetëm kaq, por u mbusha mendjen edhe shumë bashkëvuajtësve të mi që të votonin djathtas.
Autoritetet e burgut të kanë bërë favore, apo flitet vetëm për të drejtat e tua ligjore?
Vetëm për të drejtat e mia. Ato që me jep ligji. Por edhe këto nuk janë pak. Kam shumë vite këtu në burgun e Burrelit dhe kam vuajtur në kurriz shkeljen e të drejtave të mia. Me dhjetëra herë kam qenë dëshmitar kur e njëjta gjë është bërë ndaj të burgosurve të tjerë. Kam parë shumë raste kur të burgosurit janë dhunuar e torturuar, vetëm se kërkonin të drejtat e tyre.
Çfarë kërkoni nga autoritetet shtetërore?
Asgjë më tepër, vetëm se të aplikojnë ligjin e vendeve të Bashkimit Europian për të dënuarit. Në vendet e BE-së janë shumë ndryshe kushtet për të burgosurit. Atje nuk flitet për shkelje të të Drejtave të Njeriut nëpër qeli. Unë, për shembull, nuk jam lejuar asnjëherë të dal me leje. Jam shoqëruar vetëm pak orë në banesë kur më kanë ndodhur fatkeqësi. Por kohët e fundit nuk më ka lejuar njeri të shkoj në shtëpi, qoftë edhe me shoqërim, edhe pse më ndodhën dy fatkeqësi njëra pas tjetrës. Kurse në vendet evropiane të burgosurit e përjetshëm, pasi vuajnë tetë vjet burg lejohen të shkojnë me leje çdo dy muaj. Unë nuk dua kaq shumë, por më pak. Le të më shoqërojnë me policë për në banesë, që të shoh njëherë familjarët. Dua që të ulet dënimi i përjetshëm. Sipas ligjeve shqiptare, dënimi i përjetshëm mund të ulet në 25 vjet burg. Por edhe kjo nuk më duket e drejtë. Të paktën Greqia e konverton burgimin e përjetshëm në 16 vjet burg. Po kështu Holanda e kthen në 12 vjet burg. Unë deri tani kam vuajtur 12 vjet burg. Gjej rastin t’i drejtoj një kërkesë autoriteteve shtetërore: Ju lutem hiqni ligjet sovjetike me të cilët na masakroi komunizmi, duam ligje evropiane.
Ju tashmë jeni martuar, a takoheni me bashkëshorten dhe familjarët e tjerë?
Sigurisht që vijnë të gjithë më takojnë.
Keni marrë dy dënime, një përjetë dhe një tjetër me 18 vjet burg. Çfarë prisni nga vota juaj?
E rëndësishme është të funksionojë demokracia. Unë jam dënuar përjetë për diçka që nuk e kam bërë. Po kështu edhe dënimin me 18 vjet burg ma dhanë kot. Po t’i shohësh duke i analizuar dënimet e mia, sidomos këtë të fundit, del se jam dënuar për rrëmbimin e tregtarit Foto Kola. E kam pasur mik të familjes dhe e shpëtova ngaqë e kishin marrë peng të tjerët. Kam shpëtuar me dhjetëra oficerë policie dhe policë që ishin marrë peng apo kishin tentuar t’i vrisnin. Të gjithë dëshmuan pro meje në gjykatë, por siç duket drejtësia nuk funksionon në këtë vend. Ja pra, nga vota ime pres të funksionojë demokracia dhe drejtësia si pjesë përbërëse e saj.
Thoni që jeni pafajësisht në burg, ku i keni argumentet për këtë?
Mua më mbajnë në qeli klanet mafioze. Mund të them vetëm që janë njerëz të rrezikshëm.
Në vitin 1997 keni garantuar jetën e Romano Prodit, ish-kryeministrit të atëhershëm të Italisë. Çfarë kujtoni nga ajo kohë?
Shoqërimin e Romano Prodit ma kërkoi qeveria e atëhershme. E prita te fabrika e kripës në Skrofotinë. Ai erdhi me helikopter nga Italia. Me shoqërinë time morëm përsipër shoqërimin e tij për në Vlorë. E çuam tek universiteti ku zhvilloi takime me krerët e politikës dhe pastaj mbajti një fjalim. Më pas e shoqëruam sërish në kthim, ku po e priste helikopteri me të cilin u largua.
Po policia e Vlorës, ku ndodhej atëherë?
Ishte kohë rrëmujash, nuk kishte polici. Në rastin e Prodit unë dhe shoqëria ime bëmë rolin e policisë.
Mund të na përshkruash një ditë tënden në qeli?
Çohem çdo ditë në mëngjes në orën 07:00. Pasi lahem dhe pastrohem pi një kafe dhe pastaj ha mëngjesin. Ndërkohë në televizor ndjek titujt e gazetave dhe lajmet e ditës. Pastaj është orari i ajrimit, të cilin e kaloj me bashkëvuajtësit duke luajtur futboll. Qëndroj në ajrim derisa vjen koha e drekës. Pasi lahem marr ushqimin e drekës. Dhe pastaj pasditen e kaloj në qeli, duke lexuar, parë televizor apo duke luajtur. Ah, se harrova; pasi ha darkë shkoj në pab dhe pi kafe në lokalet më të mira të qytetit. (qesh). Kjo ishte shaka për të përmbyllur intervistën, por është logjike: Pas darkës gjithë burgu është në gjumë.
Zani Caushi, i dënuar dy herë me 119 vjet burg
Mbi Zani Caushin, 39-vjeçarin nga lagjja Çole e Vlorës rëndojnë dy dënime; i pari me burgim të përjetshëm, ndërsa i dyti me 18 vjet burg. Përplasjet e tij me drejtësinë do të nisnin në fund të vitit 1997, pak javë sapo po niste të funksiononte shteti i brishtë, pas rrëmujave të atij viti. I akuzuar për një sërë ngjarjesh të vitit 1997, Zani u gjykua në kryeqytet në vitin 1998, ku ia hodhi vetëm me kohën e paraburgimit së bashku me shokët e bandës së vet. Apeli e la në fuqi këtë vendim, ndërsa Gjykata e Lartë e riktheu për rigjykim, në kohën që Zani Caushi ndodhej i burgosur, pasi u dënua përjetë për një vrasje të trefishtë të kryer në periferi të Vlorës. Tre muaj pas lirimit nga Gjykata e Tiranës, më 7 korrik 1999, Zani u bë protagonist në një ngjarje, ku mbetën të vrarë tre persona. Mes viktimave ishte dhe krahu i djathtë i tij, Afrim Rami, i njohur me nofkën “Luçiano”. Vetë Zani u plagos dhe arriti t’i shpëtonte një operacioni të policisë së Vlorës. Ai u arrestua dy muaj më vonë, në shtator 1999 pas një incidenti me armë në fshatin Mifol. Për ngjarjen e 7 korrikut 1999, Gjykata e Vlorës e dënoi Zanin me burgim të përjetshëm, për vrasjen e Robert Shehut dhe dajës së tij, Luan Bedini. Ndërsa procesi gjyqësor për ngjarjet e ’97-ës ka nisur në vitin 2000 dhe për tetë vjet me radhë janë zhvilluar mbi 200 seanca gjyqësore në kryeqytet, ku u pyetën qindra dëshmitarë dhe u administruan mijëra faqe dokumente shkresore. Trupi gjykues vendosi ta dënonte Zanin me 18 vjet burg, duke e gjetur fajtor për drejtimin e bandës së “Çoles”.