Bulqizë, 300 familje minatorësh në rrezik
BULQIZE/ HASAN PASHA
Një pallat u shemb në qytetin e Bulqizës, por dhjetëra të tjerë janë në rrezik. Gjendja është kritike, por banorët e këtushëm janë ambientuar me situatën. Pak metra poshtë minierës gjigante të kromit në Bulqizë ndodhet lagjja “Gjeologu”. Ajo është pasqyra më e qartë e gjendjes së familjeve të minatorëve. Minatorë që punuan për dekada nuk siguruan dot një shtëpi banimi, nuk siguruan kushtet më minimale për jetesë. Më shumë se 300 familje të minatorëve të Bulqizës jetojnë në “apartamente” totalisht të papërshtatshme. Janë strehuar dekada më parë në ish-fjetoret e punëtorëve të minierës e gjeologjisë. Minatorë nga zona të ndryshme të rrethit e kishin të pamundur të jetonin në fshat e të punonin në qytet. Duhet të udhëtonin me orë të tëra, madje dhe natën për të kapur orarin e punës. Në pamundësi për të udhëtuar nga fshatrat e largëta drejt Bulqizës, për të qenë sa më afër minierës, vendosën të marrin me vete familjet e tyre, gratë, fëmijët e ndonjëherë dhe prindërit. U vendosën në ish-fjetoret e minierës, në kushte tejet të rënda. “Të gjitha “hyrjet” kanë përmasa standarde, 20 metra katrorë. Aty flihet, aty hahet, aty pritet miku. Mbi 40 familje frekuentojnë një banjë të përbashkët, e cila vetëm e tillë nuk mund të konsiderohet”, tregojnë minatorët, të cilëve u vjen zor kur tregojnë në ç’kushte jetojnë, në qytetin e varfër e të ftohtë të Bulqizës. Shkallë të dëmtuara, banja në kushte skandaloze, mure të çarë, lagështirë ngado, tavane të dëmtuara keq. Kjo është pamja e bujtinave të 300 familjeve. Ishte premtuar ndërhyrje për përmirësimin e kushteve por kjo nuk po ndodh. “Të paktën të investojnë për ujin e pijshëm, banjat dhe shkallët që po bien”, tregojnë banorët e këtyre pallateve që vetëm të tillë nuk mund të konsiderohen. “Ose do t’u përmirësojmë kushtet këtu ku jeni, ose do të sigurojmë shtëpi të tjera”, u thanë zyrtarët vendorë këtyre banorëve një vit më parë. Tavanet e banesave janë të vjetra dhe gati po bien. Të çarat e tyre ngjallin frikë e panik tek banorët. “Ja ç’shtëpi kam, - tregon një grua që po rrit gjashtë fëmijë. - Nuk kam as dyer, as dritare, asgjë. Kam frikë të fle në këtë dhomë sepse kushdo mund të hyjë brenda, nga dritaret apo dyert”, thotë me lot në sy Tatjana, një grua që po rrit fëmijët jetimë në ish-pallatin e punëtorëve. Amortizimi i tejskajshëm, mungesa e investimeve, dimri mjaft i ashpër, rrezikojnë çdo ditë jetën e këtyre banorëve. Zyra Patalli thotë se nuk ka dalë kurrë në gazeta dhe ndjehet keq kur njerëzit ta shohin. “Burrin e kisha në punë por ma larguan nga miniera. Jetojnë në pallatin e punëtorëve. Jemi më shumë se 40 familje me një banjë”. Mes minierës dhe lagjes së skamjes qëndron “hijerëndë” stoku, një mal i lartë i mineralit të përzier me gurë e inerte të tjera. Pikërisht mbi çatitë e tyre ndodhet stoku ku ata ngjiteshin çdo ditë, deri kur dëbora mbuloi gjithçka dhe çmimi i mineralit ra ndjeshëm. Burra, gra e fëmijë mblidhnin krom dhe e shisnin atë tek privatët, ngjitur me pallatet e tyre të banimit. Gjendja është kritike, por asgjë nuk lëviz për ta.
Këshilltarët mblidhen për të pastrehët
BULQIZE – Këshilli Bashkiak mblidhet për fatin e 56 banorëve të mbetur pastrehë pas shpërnguljes nga pallati, që rrezikon shembjen në lagjen e re të Bulqizës. Fillimisht është diskutuar në lidhje me familjet që do të përfitojnë apartamente në pallatin e “Albkrom”-it, i cili tashmë me sa duket do t’i kalojë objekt themelor bashkisë së këtij qyteti. Burime zyrtare thanë se në këshill është debatuar gjatë në lidhje me disa familje që ndonëse kanë qenë të strehuara në pallatin e shembur, ato nuk janë banorë të Bashkisë Bulqizë, por të ardhur nga zona të tjera. “Investimi në kompleks nuk mund të nisë pa përcaktuar më parë numrin dhe familjet që do të përfitojnë hyrje në pallatin e punëtorëve që do të adaptohet për apartamente për 15 familjet”, thanë këshilltarë të Bashkisë Bulqizë. h.p