Kapen trafikantët e 100 klandestinëve
Trazhgim Sokolaj
Një operacion antitrafik i shtrirë në pesë qytete të vendit arrestoi dje 14 persona të akuzuar si anëtarë të një bande kriminale, që vepronte në fushën e trafikimit të klandestinëve nga Shqipëria në Greqi. Nën drejtimin e Prokurorisë së kryeqytetit aksioni i koduar me emrin “Triumf” është shtrirë në qytetet e Tiranës, Elbasanit, Fierit, Korçës dhe Gjirokastrës. Sipas hetuesve banda ka trafikuar mbi 100 klandestinë nga pikat kufitare të Korçës, Gjirokastrës e Përmetit gjatë 5 muajve të fundit edhe duke korruptuar punonjës shtetërorë që lejonin kalimin e grupeve me emigrantë ilegalë. Lajmi është bërë publik nga policia e kryeqytetit, pasi Sektori i Antikrimit Ekonomik kishte nisur hetimet ndaj të arrestuarve gjashtë muaj më parë. Burime policore i thanë gazetës “Panorama” dje në mbrëmje se denoncimi që zbuloi bandën e trafikut është bërë rreth gjashtë muaj më parë në Korçë. Një qytetar është paraqitur në policinë e këtij qyteti dhe ka denoncuar se kishte paguar rreth 1200 euro për një vizë udhëtimi në drejtim të Greqisë, por pasi i kishin marrë paratë sekseri dhe trafikantët ishin zhdukur. Hetimet më pas janë shtrirë në kohë duke identifikuar njëri pas tjetrit, taksistët në qytetet e Elbasanit, Gjirokastrës, Korçës dhe Fierit, që merreshin me transportimin e klandestinëve në drejtim të Greqisë. Sipas burimeve zyrtare mësohet se pas nisjes së hetimit prej gjashtë muajve, policia e shtetit në Ersekë, Korçë, Përmet dhe Gjirokastër, kishte arritur në disa raste të ndalonte grupe me nga gjashtë, shtatë apo tetë klandestinë. Ata ishin grumbulluar dhe transportuar nga të arrestuarit, që po tentonin trafikimin e klandestinëve drejt Greqisë në kohën kur bëheshin goditjet e policisë. Sipas të dhënave paraprake hetimore, në episode të veçanta të ndodhura gjatë tre muajve të fundit, grupi kriminal i goditur dje ka trafikuar drejt Greqisë mbi 100 klandestinë. Në këto episode burimet e policisë veçojnë dy raste me nga dhjetë persona të kapur në Korçë, një rast me 12 persona të kapur në Përmet, si dhe tre raste të tjera në Gjirokastër.
Aksioni antitrafik
Pas hetimeve 6-mujore të filluara në maj 2008, ndaj bandës së trafikut të klandestinëve, prokuroria ka siguruar prova të mjaftueshme për arrestimin e tetë anëtarëve të grupit kriminal. Në gjashtë raste në Korçë, Përmet dhe Gjirokastër, ishin kapur klandestinë që dëshmonin se tetë të arrestuarit ishin trafikantët që u kishin premtuar kalimin ilegal në Greqi. Pas grumbullimit të provave, ndalimit të klandestinëve dhe marrjes së tyre në pyetje, prokuroria ka kërkuar autorizim në gjykatë për arrestimin e tetë anëtarëve të grupit kriminal. Gjykata ka dhënë “ok” dhe në zbatim të vendimit të saj, agjentë të Antikrimit Ekonomik dhe Antitrafiqeve nga policia e Tiranës, Elbasanit, Fierit, Korçës dhe Gjirokastrës, kanë ekzekutuar arrestet gjatë ditës së djeshme. Gjatë arrestimit të tetë personave me urdhër të gjykatës, janë ndaluar edhe gjashtë persona të tjerë mbi bazën e urdhër-ndalimeve që kishte nxjerrë prokuroria e Tiranës. Sipas burimeve zyrtare nga kjo e fundit, mësohet se të arrestuarit janë taksistë që transportonin klandestinët, pronarë hotelesh ku strehoheshin të interesuarit për kalim në Greqi, sekserë që falsifikonin viza, si dhe ndërmjetës që grumbullonin si klandestinë persona të ndryshëm që ishin të interesuar për kalim ilegal në drejtim të Greqisë. Prokuroria saktësoi se pronarët e hoteleve sipas hetimeve të zhvilluara nuk kanë qenë vetëm strehues të klandestinëve, por në disa raste ata kanë bashkëpunuar në gjetjen e personave, që ishin të interesuar për kalim ilegal në Greqi, ndërsa ishin në dijeni të plotë të kësaj veprimtarie.
Aksioni “Triumf”
Të arrestuar
Alfred Çikani, 44 vjeç, Tiranë
Luan Klosi, 36 vjeç, Tiranë
Ilir Balliu, 26 vjeç, Fier
Dashamir Halilaj, 28 vjeç, Tiranë
Korab Lama, 38 vjeç, Tiranë
Myftar Prengezaj, 60 vjeç, Tiranë
Ardian Berisha, 38 vjeç, Tiranë
Përparim Lama, 46 vjeç, Elbasan
Të ndaluar
Fatmir Vukaj, 40 vjeç, Tiranë
Thanas Todhri, 50 vjeç, Tiranë
Astrit Hasa, 36 vjeç, Tiranë
Ramis Shahini, 42 vjeç, Përmet, pronar hoteli
Fatmir Tato, 42 vjeç, Ersekë, pronari hoteli
Gurali Bardhi, 46 vjeç, Cërrik
Akuzat:
“Dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufirit”, neni 298/3
“Falsifikim të pasaportave dhe vizave”, neni 198/2 i Kodit Penal
Zbulohen prova gjatë arrestimeve
TIRANE – Grupi hetimor, i cili ka realizuar dje goditjen e grupit të trafikut të klandestinëve konfirmoi se gjatë kapjes së personave të akuzuar, u arrit të zbuloheshin dhe sekuestroheshin një sasi e konsiderueshme provash materiale. Bëhet fjalë për 16 telefona celularë të bllokuar, të cilët përdoreshin nga të arrestuarit mes të tjerave edhe për biseda që lidheshin më grumbullimin, transportimin dhe trafikimin e klandestinëve. Ballafaqimi i telefonave të bllokuar si prova materiale me përgjimet telefonike të dokumentuara gjatë gjashtë muajve të fundit sipas Prokurorisë së Tiranës konsiderohet si një nga provat kryesore kundër të arrestuarve. “Gjatë shoqërimit të personave të dyshuar dhe kontrolleve të ushtruara në banesat e anëtarëve të këtij grupi u gjetën edhe dokumente të falsifikuara, që implikojnë të dyshuarit në veprimtarinë kriminale për të cilën ata akuzohen”, thanë zyrtarët e policisë së Tiranës.