Librazhd, specialistë të gjeologjisë inspektojnë zonën ku u shemb toka
LIBRAZHD – Ekspertë të gjeologjisë do të japin konfirmimin nëse banorët mund të rikthehen të jetojnë në luginën e Qafë-Dardhës në Librazhd. Pas evakuimit të familjeve në 25 banesa, qindra banorë të tjerë rrezikojnë jetën çdo ditë në këtë zonë të largët. Në vendngjarje mbërriti dje dhe prefekti i Elbasanit, Shefqet Deliallisi, i cili ka qenë i shoqëruar edhe me Specialistë të Institutit të Gjeologjisë. “Situata vazhdon të paraqitet e rëndë në këtë zonë, ku si pasojë e fundosjes së tokës është prishur rreth 250 metra rrugë në aksin Polis–Gushë Shpatë dhe Polis-Vilan. Aty kërkohet tani një investim shumë i madh, pasi shembja është e konsiderueshme”, ka deklaruar prefekti. Në këtë zonë, rrëshqitja e tokës për herë të parë ka ndodhur në vitin 1998, më pas në vitin 2005, për t’u përsëritur sërish dy ditë më parë. Gjatë mbrëmjes të së dielës të shpërngulurit nga fshati janë strehuar tek të afërm të tyre në fshatin ngjitur. Për çështjen e strehimit, prefekti pohoi se po shikohet si mundësi qëndrimi i 25 familjeve në një godinë të ish-repartit ushtarak, pas diskutimit me Ministrinë e Mbrojtjes. a.k